Pas disa vitesh larg qendrës së vëmendjes në Hollywood, Angelina Jolie po rikthehet në ekran me filmin e saj më të ri, “Couture”, një projekt që ka një domethënie të veçantë për aktoren, pasi lidhet ngushtë me një nga periudhat më sfiduese të jetës së saj.
Në film, fituesja e çmimit Oscar interpreton një regjisore amerikane, e cila gjatë Javës së Modës në Paris përballet me diagnozën e kancerit të gjirit. Ky rol e riktheu Jolie te kujtimet e humbjes së nënës së saj, Marcheline Bertrand, e cila ndërroi jetë nga kjo sëmundje në moshën 56-vjeçare.
Edhe vetë aktorja iu nënshtrua një mastektomie parandaluese në vitin 2013, pasi zbuloi se ishte bartëse e mutacionit të gjenit BRCA1, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të gjirit dhe të vezoreve.
Në një intervistë për Reuters, Jolie pranoi se xhirimi i disa skenave ishte emocionalisht i vështirë.
“Ishte një ndjesi e çuditshme, sikur Hollywood-i të kishte hyrë në dhomën time të spitalit. U ndjeva shumë e pambrojtur, por shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se të gjithë kalojmë sprova dhe se pikërisht ato na bëjnë më njerëzorë”, u shpreh ajo.
Gjatë promovimit të filmit, aktorja foli edhe për jetën e saj pas divorcit nga Brad Pitt. Në një intervistë për Variety, ajo zbuloi se para ndarjes së tyre në vitin 2016 kishte menduar të hiqte dorë nga aktrimi për t’iu përkushtuar regjisurës dhe angazhimeve humanitare.
“Praktikisht e kisha lënë aktrimin. Më pas kuptova se mënyra më e mirë për të qenë pranë fëmijëve dhe për të siguruar të ardhura ishte të rikthehesha në role që nuk më mbanin larg tyre për periudha të gjata”, tha Jolie.
Aktorja tregoi se motivimin për t’u rikthyer në ekran e ka gjetur te gjashtë fëmijët e saj.
“Mendoj se më është rikthyer shpirti luftarak. Për një kohë e humba, por tani po e gjej sërish dhe kjo falë fëmijëve të mi, të cilët janë rritur dhe më inkurajojnë të ndjek ëndrrat e mia”, u shpreh ajo.
Deklaratat e saj janë interpretuar nga mediat ndërkombëtare si një mesazh i tërthortë për Brad Pitt, marrëdhënia e të cilit me fëmijët vazhdon të mbetet e tensionuar prej vitesh.
Jolie foli edhe për jetën e saj sentimentale, duke pranuar se që nga divorci nuk ka krijuar një lidhje të re.
“Për të qenë e sinqertë, nuk kam dalë me askënd që nga divorci. Kam qenë e përqendruar te fëmijët dhe familja ime”, tha ajo.
Megjithatë, aktorja theksoi se puna në filmin “Couture” i ka ndryshuar këndvështrimin për dashurinë, duke e bërë të kuptojë se një grua mund të jetë njëkohësisht një nënë e përkushtuar dhe e hapur ndaj një historie të re dashurie./mxh
