Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Nga Ylli Manjani
Besoj e dini atë barcaletën e vjetër: arusha i sillte mjaltë çdo ditë bariut që e kishte “palluar” një herë. Një histori popullore që shpjegon, me logjikën e humorit shqiptar, pse disa lidhje lënë gjurmë më të forta se vetë martesa.
Kur dëgjova për herë të parë emrin “Aruba”, mendova se ishte ndonjë mënyrë moderne për t’iu referuar arushës. Si puna e atyre fjalëve që i zbukurojmë pak për t’u dukur më ndërkombëtarë. Por jo. Aruba qenka një ishull i vogël në Karaibe, me plazhe të bardha, det kristal dhe palma. E megjithatë, ka arritur të zërë më shumë vend në lajmet shqiptare sesa gjysma e qyteteve të Shqipërisë.
Madje ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK-ut.
Dhe këtu fillon humori i pavullnetshëm. Se drejtësia jonë e re nuk është më kombëtare. Është globale. SPAK-u po sillet si një lloj prokurorie penale e OKB-së. Nuk ka cep të botës ku nuk mund të mbërrijë një dyshim shqiptar.
Në këtë ritëm, Kodi Penal duhet ribotuar me hartën e globit në fund. “Republika e Shqipërisë ushtron juridiksion mbi çdo shqiptar, kudo që të hajë drekë, darkë apo të pijë Mojito.” GJKKO donti zërë hendin Gjykatës së Hagës. Këtë të fundit do ta mbyllë Trumpi, kështu që se lemë vendin bosh…
Nejse, tani del se në Aruba është ngrënë një darkë dhe aty qenkësh marrë ndonjë vendim. Mirë, po sa darka hahen çdo natë në Tiranë? Sa tavolina ka plot me njerëz që vendosin për politikë, biznes, media, tendera, zgjedhje, aleanca e armiqësi? Apo vendimet vlejnë vetëm kur shoqërohen me pamje nga Karaibet? Se po t’i bësh në Sauk apo në Lundër nuk kanë të njëjtën peshë juridike.
Pastaj, me këtë standard, duhet të kesh kujdes edhe si turist, se ja si vjen puna Gëlltit një lugë çorbë të prishur… domethënë një gllënjkë Mojito në Aruba… dhe e vjell gjithë jetën në dosje.
Një koktej i pirë në Karaibe paska efekt juridik më të gjatë se antibiotikët.
Po më shumë se Aruba, mua më shqetëson SPAK-u.
Imagjinojeni tani konfliktin e madh brenda institucionit.
Kush do shkojë me shërbim në Aruba?
OPGJ-të e BKH dhe prokurorët e SPaK duke u kapur për flokësh:
— “Jo, këtë dosje e ndjek unë!”
— “Jo, kam eksperiencë me klimën tropikale!”
— “Po unë kam specializim për hetime në plazh!”
Në fund do hidhet shorti.
Në fakt, me këtë ritëm, SPAK-ut do t’i duhet një organikë e re.
Shef i sektorit për Karaibet dhe Amerikën Qendrore.
Specialist për ishujt tropikalë.
Ekspert për provat e mbledhura pranë pishinave “all inclusive”.
Oficer për verifikimin e Mojito-s si provë materiale.
Shpenzimet e udhëtimeve nuk do t’i kenë më si institucion drejtësie, por si agjenci turistike.
“Paketa hetimore 7 netë, 8 ditë. Fluturimi, hoteli, mëngjesi dhe administrimi i provave përfshihen në çmim.”
Po të isha pjesë e tyre do aplikoja vetëm për sektorin e Indonezisë dhe Bora Bora.
Jam gati të sakrifikoj veten për shtetin. Me profesionalizëm të lartë, natyrisht.
Në fund të fundit, dikush duhet ta mbrojë ligjin edhe në plazhet më të bukura të botës. Pse vetëm Zvërnecin do mbrojmë ne nga Aruba?! Jo ore, mbrojmë edhe Arubën nga Aurba dhe arusha…
Sepse Aruba mund të duket ekzotike, ndërsa arusha vetëm pak njerëzve mund t’u duket erotike.
E megjithatë, një gjë është e sigurt: në Shqipëri mjafton të përmendet një ishull në Karaibe dhe ne harrojmë që kemi një vend plot me arinj, arusha, dreka, darka dhe thashetheme. Vetëm se ato nuk kanë rërë të bardhë, prandaj nuk duken aq interesante.
