Last Updated on 15/04/2026 by Anisa
Një zjarr i përmasave të mëdha që përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis”, në zonën e njohur si Farmacia 10 pranë QSUT, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke lënë dhjetëra familje pa strehë.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 banesa janë prekur nga flakët, ndërsa 30 familje kanë mbetur pa çati mbi kokë, duke shpëtuar vetëm me rrobat që mbanin veshur në momentin e evakuimit. I vetmi lajm pozitiv nga kjo ngjarje e rëndë është fakti se nuk raportohet për asnjë humbje jete.
Edhe këtë mëngjes të së mërkurës, nga godina e djegur vijon të dalë tym, ndërsa autoritetet po kryejnë verifikime për të bërë një bilanc më të plotë të dëmeve. Raportohet se disa apartamente janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa të tjera kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Nga pamjet e publikuara një ditë më parë, dyshohet se zjarri ka nisur në ambientet e një supermarketi në katin e parë, konkretisht Big Market, dhe më pas është përhapur me shpejtësi në fasadën e pallatit, duke përfshirë të gjithë ndërtesën. Një tjetër pistë hetimi lidhet me mundësinë që flakët të kenë nisur në hapësirat e jashtme, ku mund të kenë qenë të grumbulluara mbeturina, por shkaku zyrtar ende nuk është përcaktuar.
Ndërkohë, struktura e ndërtesës paraqitet e rrezikshme dhe banorët nuk janë lejuar të hyjnë në apartamentet e tyre nga policia. Banorët e pallateve përreth kanë kaluar natën në banesat e tyre, ndërsa shqetësimi kryesor ka qenë ajri i rënduar dhe ndotja e shkaktuar nga zjarri.
Sa i përket strukturës së godinës, mësohet se materiali prej leshi xhami në shtresën e brendshme të fasadës nuk është djegur, ndërsa veshja e jashtme, sidomos ajo e bardhë, është shkrumbuar pothuajse plotësisht. Pjesë të fasadës së kuqe duket se kanë rezistuar në disa zona.
Në reagimin e tij, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, deklaroi se familjet e prekura mund të strehohen përkohësisht te të afërmit, ndërsa strukturat e emergjencës janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë nëse do të jetë e nevojshme.
“Të them të drejtën, kjo është një gjë që mua nuk më ka dhënë shumë preokupim që të jem i sinqertë me ju. Kam urdhëruar bashkinë e Tiranës dhe emergjencat civile që ata të kenë mundësi të jenë në ambiente të tjera. Jam i bindur që s’do ketë nevojë sepse ne jemi shqiptarë, kanë kushërinj, halla, daja por ne jemi gati për t’i ndihmuar” tha Hajdari.
Autoritetet pritet të japin në vijim më shumë detaje mbi shkaqet e zjarrit dhe masat që do të merren për rehabilitimin e zonës dhe mbështetjen e familjeve të prekura./A.D
