Last Updated on 19/02/2026 by EL
Përdorimi i barnave për disfunksion erektil ka një rëndësi shumë më të gjerë shëndetësore sesa është menduar deri tani
Në dritën e provave gjithnjë në rritje mbi efektet e tyre sistemike në shëndetin e enëve të gjakut, barnat që për dekada janë parë vetëm si terapi për disfunksion seksual po konsiderohen gjithnjë e më shumë si aleatë potencialë në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike serioze.
Një studim i ri, i publikuar më 13 shkurt në revistën shkencore The World Journal of Men’s Health, tregon se barnat për ereksion, si Viagra dhe Cialis, mund të kontribuojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë goditjen në tru, si dhe në përmirësimin e përgjithshëm të qarkullimit të gjakut. Përveç kësaj, janë vërejtur përfitime të mundshme edhe te diabeti, hiperplazia beninje e prostatës (zmadhimi i prostatës) dhe çrregullimet e traktit urinar.
Këto probleme prekin miliona burra që jetojnë me kancer të prostatës ose e kanë kaluar këtë sëmundje. Veçanërisht e rëndësishme është fakti se mbi 80 për qind e burrave të trajtuar për kancer të prostatës zhvillojnë disfunksion erektil, ndërsa opsionet terapeutike vazhdojnë të përdoren në mënyrë të pamjaftueshme.
Një studim tjetër, i realizuar nga organizata britanike Prostate Cancer UK, forcon argumentet për përfshirjen më të hershme dhe sistematike të këtyre barnave në protokollet terapeutike për pacientët me kancer të prostatës.
Çfarë janë barnat për disfunksion erektil dhe si veprojnë
Barnat për disfunksion erektil klasifikohen si frenues të fosfodiesterazës tip 5 (PDE5).
Mekanizmi i tyre bazohet në bllokimin e enzimës PDE5, e cila në kushte normale shkakton tkurrjen e muskujve të lëmuar dhe ngushtimin e enëve të gjakut, duke kufizuar rrjedhën e gjakut.
Kur kjo enzimë frenohet, ndodh relaksimi i murit vaskular dhe zgjerimi i enëve të gjakut (vazodilatimi), duke rritur qarkullimin e gjakut në inde të ndryshme. Efekti më i njohur klinik shfaqet në indin erektil të penisit, ku rritja e perfuzionit mundëson dhe mban ereksionin.
Megjithatë, i njëjti mekanizëm hemodinamik ka karakter sistemik dhe nuk kufizohet vetëm në sistemin riprodhues.
Analizat e studimeve tregojnë se efektet e frenuesve PDE5 shtrihen edhe në sisteme të tjera organike, përfshirë sistemin kardiovaskular, cerebrovaskular, pulmonar dhe urinar./et
