Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, deklaroi se opozita sot është në hall të madh, pasi nuk ka më asnjë rrëfim.
Haxhiu tha se e vetmja mënyrë për të mbushur sheshet, është që PD të ndryshojë lidershipin dhe gjithçka tjetër. Ai shtoi: “Mendoj se po saturohet opozita në diskurs, veprime, edhe pse duket si energji mobilizuese, që në fjalor që është e domosdoshme pas një proteste, duhet mobilizuar njerëzit që kanë ardhur dhe rezultati ka qenë i vogël, por prapë është humbje e njerëzve në pjesëmarrje dhe besoj se kjo ndikon edhe në votë.
Protesta e cila në vetëvete e vendos rrezikun, duke vendosur fishekzjarre pastaj, shishe molotovi, njerëzve që janë të gatshëm të protestojnë, të jenë kundër asaj që po ndodh në qeverisje, nuk i bashkohen. Berisha nuk ka rrëfim më dhe rrëfimi është i gatshëm, vetëm duhet që ti japësh fjalorin e duhur. Si duket nuk është as njeriu, as gjuha dhe nuk është as veprimi që e bën këtë protestë të suksesshme.
Duhet të ndërrohet njeriu, duhet të bashkohen njerëzit, së pari me njeriun tjetër dhe pastaj të ndërrohet diskursi që sheshi të jetë plotë.
Fjalimi i fundit, kur ka një hall të madh dhe nga natyra e fjalorit të njerëzve në periferitë shqiptare, thuhet se gënjeshtra është më e vogël se halli. Njerëzit kur kanë halle ju lejohet edhe gënjeshtra, edhe ajo që është e pamundur. Kemi një parti dhe opozitë që ka hall të madh, ju lejohet gjithçka. Mendoj se halli i madh mbetet. Jam i sigurtë që një fjalor i tillë dhe asnjë veprim i ashpër që bëhet, nuk e largon hallin e madh që ka PD dhe opozita. Duhet të ndërrohet gjithçka, që pushtetit ti lëkunden këmbët. Jemi larg nga ajo ditë.”
