Last Updated on 24/12/2024 by adminfjala
Opozita zhvilloi pasditën e djeshme protestë në atë që e konsideron “mosbindje civile” ndaj qeverisë, duke bllokuar pesë akse kryesore në Tiranë. Përlasje mes policisë dhe protestuasve. Deputeti Gjekmarkaj humb ndnjenjat, pretendohet për dhunë nga policia. Mesazhi politik i opozitës me Berishën në krye të protestave.
Protesta e organizuar nga opozita ka përfshirë kryeqytetin në kaos të plotë, duke bllokuar disa prej akseve kryesore rrugore dhe shkaktuar tensione midis protestuesve, qytetarëve dhe policisë. Përplasjet kanë qenë në disa raste disi të dhunshme, ku PD thotë se është goditur dhe shkëlur me këmbë nga policia nënkryetari i Kuvendit deputeti Agron Gjekmarkaj i cili humbi edhe ndnjenjat. “Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta” thuhet ne reagimin e policisë. Gjithsesi Policia ka shoqëruar disa protestues. Përtej kaosit të pritshëm në trafik dhe incidenteve mesazhet politike që la protesta tre orëshe në Tiranë nënkuptojnë një përplasje më të ashpër të opozitës me qeverinë dhe policinë, të cilën eksponentë të lartë të PD-së e quajnë si “narkopolicia”. Protesta e djeshme edhe pse në mot të keq ishte disi e vendosur, kjo edhe nga prania e kreut të PD-së Sali Berisha, pas gati një viti munngesë për shkak të masës “arrest shtëpie” që i ishte vendosur nga gjykata. Në kronikën e protestës së djeshme plani i PD-së ishte i ngjashëm me atë të protestës së mëparshme. Protestuesit u pozicionuan në Zogun e Zi, Rrugën e Elbasanit, Sheshin Wilson, Pallatin me Shigjeta dhe zonën përpara Bashkisë së Tiranës, duke ndërprerë lëvizjen në këto pika të rëndësishme. Përpjekjet e policisë për të liruar rrugët kanë hasur rezistencë, ndërsa deputetët dhe mbështetësit e opozitës kanë refuzuar të tërhiqen.
Mesazhi i Berishës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në terren gjatë gjithë ditës së djeshme, duke udhëhequr protestën dhe mbajtur disa fjalime të forta. Nga Rruga e Elbasanit, Berisha paralajmëroi se protesta nuk do të ndalet derisa të largohen kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij. “Edi Rama është i humbur! Ky dimër do të jetë fundi i këtij regjimi. Ne nuk do të ndalojmë pa arritur qëllimin tonë për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktaturës,” deklaroi Berisha, duke theksuar se beteja opozitare do të vazhdojë në të gjitha format. Berisha gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën, duke e quajtur atë një akt në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Përplasje me policinë dhe incidente në protestë
Ndërsa protesta vijonte, situata u tensionua në disa pika, ku policia tentoi të shpërndante grumbullimet për të liruar rrugët. Në zonën e Pallatit me Shigjeta, tensionet arritën kulmin kur nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, humbi ndjenjat pas përplasjes me forcat e rendit. Sipas Partisë Demokratike, Gjekmarkaj u dhunua nga policia në përpjekjen për të shpërndarë protestuesit. Pamjet e publikuara nga opozita tregojnë momentet dramatike kur deputeti humbet ndjenjat, ndërsa kolegët dhe qytetarët përpiqen ta ndihmojnë. Deputeti Flamur Noka e quajti dhunimin e Gjekmarkajt një “akt të paprecedent” dhe paralajmëroi se personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi ligjore. “Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë për këtë akt barbar. Është koha e opozitës dhe çdo urdhër kundër qytetarëve do të ndëshkohet,” tha Noka.
Qëndrimi i policisë
Policia, në një deklaratë zyrtare, theksoi se bllokimi i rrugëve pa leje përbën një vepër penale dhe u bëri thirrje organizatorëve të protestës të respektojnë ligjin. Në disa pika, forcat e rendit përdorën megafonë për t’u kërkuar protestuesve të largoheshin dhe të lejonin qarkullimin normal të qytetarëve. Megjithatë, kërkesat e policisë nuk u morën parasysh nga protestuesit, të cilët vijuan bllokimin e rrugëve deri në mbrëmje. Organizatorët e protestës akuzuan policinë për përdorim të forcës së pajustifikuar dhe e cilësuan ndërhyrjen e tyre si të paligjshme. Ndërkohë që disa qytetarë u bashkuan me protestën, të tjerë shprehën pakënaqësinë për kaosin e krijuar në rrugë. Trafiku i paralizuar për disa orë pengoi qindra qytetarë që të shkonin në punë, në shtëpi apo në destinacionet e tyre. Deputeti Gazment Bardhi, duke iu drejtuar qytetarëve, u kërkoi mirëkuptim dhe solidaritet me protestën. “Jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tuaja. Kjo mosbindje civile është një akt kundër një qeverie që ka tradhtuar qytetarët dhe po shtyp demokracinë,” tha Bardhi. Sali Berisha zhvilloi një “tur” në pikat kryesore të protestës, duke mbajtur fjalime dhe duke inkurajuar qytetarët të mos tërhiqen. Ai filloi me një fjalim në Rrugën e Elbasanit, më pas vizitoi Bashkinë e Tiranës, Sheshin Ëilson dhe Zogun e Zi, duke shprehur mbështetje për të gjithë pjesëmarrësit. “Ky është vetëm fillimi,” tha Berisha nga Zogu i Zi. “Protesta jonë do të vijojë deri në realizimin e objektivave. Çdo qytetar duhet të jetë pjesë e kësaj beteje për Shqipërinë.” Protesta përfundoi rreth orës 20:00, por organizatorët paralajmëruan se kjo ishte vetëm faza e parë e një vale më të gjerë mosbindjeje civile. Sipas opozitës, protestat do të vijojnë me intensitet derisa të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa tensionet politike mbeten të larta, qytetarët dhe institucionet presin me shqetësim zhvillimet e ardhshme, ndërkohë që opozita duket e vendosur për të vazhduar presionin ndaj qeverisë. Tirana mbetet në pritje të një dimri që mund të sjellë trazira të tjera politike dhe sociale.