Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kjo parti është “në betejën finale dhe kjo betejë finale është largimi i këtij regjimi”.
“Ne sot jemi të qartë dhe duhet të qartësojmë çdo demokrate e demokrat, të përkushtohemi në projektin e opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike si kusht i të gjitha kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë.
Nuk ka një parti me eksperiencën tonë. Ne erdhëm në vitet ’90 si i vetmi vend dhe e vetmja shoqëri me 4 kulte, kulti i Enver Hoxhës, Stalinit, Leninit, Marksit, etj. Ndërkohë vendet e tjera ish-komuniste nga viti 1956 ishin çliruar nga kultet.
Ju e keni të vështirë ta mendoni se çfarë tmerri dhe sa të tmerrshëm ishin kultet. Por ne i shembëm ato me guxim.
I shembëm pa konflikt civil. Tanket i nisën drejt nesh, ne i bllokuam ato me barrikada, por vetë nuk rrëmbyem armë, as RPG, armë antitanke. Na rrethuan tek selia, po me tanke. Ne nuk u mposhtëm, por përsëri qëndruam, u vetëpërmbajtëm.
Na vranë, u përzunë nga selia e kryeministrisë. Të gjitha këto eksperienca, pse unë po i citoj sot dhe do i citoj, i citoj dhe do i citoj sepse ne jemi ne forcë demokratike që drejtohemi vetëm nga parime demokratike. Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme. Në besojmë se Edi Rama, ky regjim i kalbur, largohet vetëm kur opozitarët të lënë mënjanë lodhjen e tyre, të lënë mënjanë dëshpërimin e tyre, rraskapitjen e tyre dhe të dalin në shesh çdo ditë. Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga”, tha Berisha./kb
