Last Updated on 09/09/2026 by Monika
Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka përkujtuar 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, duke nderuar ata që u ngritën kundër regjimit komunist më 9 shtator 1946.
Berisha e cilëson Postribën si një nga aktet e para dhe më të guximshme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri, duke kujtuar sakrificat e banorëve të saj, shumë prej të cilëve u vranë, u burgosën ose u internuan.
Ai thekson se qëndresa e Postribës mbetet një simbol i luftës për liri dhe pjesë e rëndësishme e kujtesës historike.
Reagimi i plotë:
80-vjetori i Kryengritjes së Postribës!
Të dashur miq,
Sot, 80 vite më parë, në natën e 9 shtatorit 1946, Postriba u ngrit në këmbë në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe Shqipërisë së lirë.
Kryengritja e Postribës ishte kryengritja e parë e madhe antikomuniste në Shqipëri dhe një nga aktet më të guximshme të qëndresës kundër diktaturës komuniste në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e tribunit të lirisë, Osman Haxhisë, burrat trima të Postribës u ngritën kundër regjimit të terrorit që po vendoste themelet e diktaturës më të egër në historinë e vendit.
Ata luftuan për të çliruar Shkodrën dhe Shqipërinë nga dhuna, terrori dhe shtypja. Shumë prej tyre ranë në përleshje, u ekzekutuan pa gjyq, u burgosën dhe u internuan. Ata paguan çmimin më të lartë për lirinë, por emrat dhe sakrifica e tyre nuk u shuan kurrë.
Sot përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë para martirëve të Postribës, para familjeve të tyre dhe para të gjithë atyre shqiptarëve që nuk pranuan të jetonin nën diktaturë.
Postriba është dëshmi e gjallë se liria nuk mund të shuhet me terror dhe se një komb nuk mund të mbahet përgjithmonë i nënshtruar.
80 vite më pas, kujtimi i tyre mbetet një thirrje për të mbrojtur demokracinë, shtetin ligjor dhe dinjitetin njerëzor.
Nderim të përjetshëm martirëve dhe luftëtarëve të Kryengritjes së Postribës! Lavdi qëndresës së Postribës!/mxh
