Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Një ditë para seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një mbledhje me deputetët e opozitës, ku ka dhënë porosi të qarta lidhur me mënyrën e pjesëmarrjes në interpelancat parlamentare.
Berisha u ka kërkuar deputetëve që të mos pranojnë delegimin e interpelancave te ministrat, në rast se kryeministri Edi Rama nuk paraqitet vetë në Kuvend.
“Nëse Rama nuk vjen në interpelancë, mos pranoni delegimin te ministrat”, është shprehur Berisha, duke shtuar se një praktikë e tillë, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe dëmton funksionimin e kontrollit parlamentar.
Ai ka argumentuar se neni 80 i Kushtetutës parashikon detyrimin e kryeministrit për t’u paraqitur në interpelancë dhe se delegimi i përgjigjeve te vartësit e tij nuk është i pranueshëm. “Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë”, ka deklaruar Berisha, duke paralajmëruar se nëse kjo praktikë vijon, opozita do të marrë vendimet e saj.
Sipas tij, nëse lejohet delegimi, përgjegjësia do të zbresë nga kryeministri te ministrat, më pas te zëvendësministrat dhe madje edhe te drejtorët e institucioneve, gjë që ai e konsideron të papranueshme për një sistem parlamentar.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku opozita ka ngritur vazhdimisht shqetësime për mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe llogaridhënien e qeverisë./A.D
