Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Kreu i opozitës, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat në selinë e Partisë Demokratike, akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe përfshirje në skandale të shumta, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Berisha e akuzoi Ramën se po përdor ministren Belinda Balluku si “parzmore” për të mbrojtur veten nga hetimet lidhur me aferat korruptive. Ai u shpreh se mbi gjysmën e mesazheve në dosjen e Ballukut, të zbardhura nga SPAK, i përkasin vetë kryeministrit.
“Nga 6,700 mesazhe, 3,500 janë të Ramës. Balluku është thjesht shërbëtore e tij. Por dosja më e tmerrshme është ajo e AKSHI-t, ku Rama dhe Ergys Agasi kanë plaçkitur nëpërmjet baxhanakut qindra tenderë sekretë dhe të dhëna të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin për ndërtimin e një projekti “Dubai offshore” në Durrës, që sipas tij financohet me para të paligjshme dhe përfshin kontrata me kompani ruse për portin e ri në Porto Romano.
“Rama, me firmën e tij, ka vendosur të ndërtojë në Durrës Dubain e vetë të 1 mijë e 1 netëve, ofshore, 4 miliardë euro, me paratë e drogës dhe të krimit të organizuar. Do bëhet hetim parlamentar për këtë çështje”, shtoi Berisha.
Kreu i PD paralajmëroi se mosdorëheqja e Ramës mund të sjellë një revoltë të ngjashme me atë kundër kultit të Enver Hoxha.
“Revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj Ramës po arrin nivelet e zemërimit ndaj kultit të Enver Hoxhës. Prandaj, Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, tha Berisha.
Ai gjithashtu kritikoi nismën ligjore të kryeministrit për ndryshimin e Neneve 242 mbi pezullimin e ministrave, duke e cilësuar si një përpjekje të paligjshme dhe shkelje të Kushtetutës.
Në fund, Berisha përmendi edhe skandalin e inceneratorëve si një shembull të “monumentit të zi të korrupsionit”, duke përmendur kryebashkiakun Erion Veliaj në kontekstin e aferës së 130 milionë eurove të zhdukura.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë tensioni të lartë politik në vend, ndërsa opozita intensifikon presionin ndaj qeverisë për transparencë dhe hetime.
