Last Updated on 27/02/2026 by Anisa
Shqipëria ka një ministër të ri të Punëve të Jashtme. Ferit Hoxha, diplomat karriere me mbi tre dekada përvojë në shërbimin e jashtëm, merr drejtimin e diplomacisë shqiptare, duke zëvendësuar Elisa Spiropali në këtë detyrë.
Emërimi i tij është shoqëruar me reagime publike, mes tyre edhe ai i ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, i cili përmes një mesazhi urimi ka shprehur njëkohësisht edhe një kërkesë të drejtpërdrejtë politike.
“Si koleg i hershëm, por edhe si ministër që e përfshiva në rrethin e afërt të bashkëpunëtorëve të mi duke i dhënë shtysën e parë të madhe karrierës së tij, i uroj përzemërsisht suksese Ferit Hoxhës. Me këtë rast shpreh shpresën se një nga aktet e tij të para si ministër do të jetë revokimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, votuar së fundmi në Parlament, si një ligj që godet rëndë integritetin e trupës diplomatike të Republikës së Shqipërisë”, – deklaroi Mustafaj.
Një karrierë e gjatë në diplomaci
Ferit Hoxha iu bashkua Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë në vitin 1991, në një periudhë kyçe për ripozicionimin ndërkombëtar të vendit pas ndryshimeve politike. Në vitet 1991–1995 ai mbuloi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në vitin 1995 u emërua Këshilltar në Misionin e Shqipërisë pranë United Nations në Nju Jork. Më pas, nga 1996 deri në 1998, drejtoi Marrëdhëniet Multilaterale në MPJ.
Hoxha ka mbajtur disa poste ambasadoriale të rëndësishme. Ai ka shërbyer si Ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në Belgjikë dhe jo-rezident në Luksemburg, si dhe Ambasador në Francë (2001–2006), me akreditim jo-rezident edhe në Portugali, Algjeri dhe Monaco.
Në periudhën 2006–2009, ai mbajti postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, funksioni më i lartë i shërbimit civil në këtë institucion. Gjatë kësaj kohe, shërbeu edhe si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe si Guvernator i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të International Atomic Energy Agency (2007–2008).
Përfaqësues i Shqipërisë në OKB dhe UNESCO
Nga viti 2009 deri në vitin 2015, Hoxha ishte Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në United Nations në Nju Jork, si dhe Ambasador jo-rezident në Kubë.
Pas një periudhe si Drejtor i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (2015–2018), ai u emërua Ambasador dhe Delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO në Paris, detyrë që e mbajti deri në tetor 2021.
Më 30 shtator 2021, Hoxha u rikthye në Nju Jork si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, duke përfaqësuar vendin në një periudhë me sfida të shumta ndërkombëtare.
Sfida në krye të diplomacisë
Marrja e detyrës së ministrit të Jashtëm e gjen Ferit Hoxhën me një profil të konsoliduar diplomatik dhe me njohje të thellë të mekanizmave shumëpalësh. Megjithatë, përveç agjendës ndërkombëtare, ai do të duhet të përballet edhe me debatet e brendshme, përfshirë polemikat mbi Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili ka ngjallur kundërshti nga figura të njohura të diplomacisë shqiptare.
Emërimi i tij shihet si një rikthim i fortë i diplomacisë së karrierës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në një moment kyç për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian./fjla.al-A.D
