Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka akuzuar deputetët e Partisë Demokratike se po nxisin dhunën gjatë protestës së zhvilluar këtë të mërkurë në Tiranë.
Përmes një postimi në Instagram, Klosi ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe institucioneve, si dhe dëmtimin e pronës publike. Ai ka akuzuar gjithashtu deputetët e opozitës se po nxisin akte shkatërrimi.
“Dhuna nuk është zgjidhje! Sulmet me gurë e molotovë ndaj Policisë së Shtetit, institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës publike i shërbejnë atyre që kërkojnë destabilitet. Rreshtimi i deputetëve të Saliut si nxitës të shkatërrimit nuk mund të na kthejë më kurrë në të shkuarën e errët për hir të paaftësisë së tyre politike”, shkroi Klosi në Instagram.
Protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë vijon prej dy ditësh, me pjesëmarrjen e qindra studentëve. Gjatë tubimit janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe episode dhune.
Nga përplasjet raportohet për disa persona të lënduar, ndërsa disa të tjerë janë arrestuar./ad
