Kryeministri Edi Rama sqaroi gjatë podkastit të tij “Flasim” situatën në aksin Librazhd-Prrenjas, e cila vijon të jetë e bllokuar për shkak të rrezikut si pasojë e shembjes së tokës. Ai u shpreh se ajo është një fatkeqësi natyrore, që nuk ka të bëjë me njeriun, por me natyrën.
Ai tha se situata nuk është krijuar si pasojë e korrupsionit, por gjeologjisë. Sa i përket Korridorit VIII që po ndërtohet, Rama tha se aksi i ri nuk është prekur.
“E pikërisht kur Shqipëria po e lufton korrupsionin më fort se asnjëherë dhe këto janë fakte, këtu flitet se korrupsioni është më i madh se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo, sa ç’është e vërtetë lidhja e korrupsionit me atë rrëshqitje. Zero, zero! Aty ka një gjeologji të vështirë dhe rrëshqitja ka afektuar, jo aksin e ri, asgjë që lidhet me kantierin dhe me të gjitha punimet që janë bërë me kantierin përgjatë segmentit të rrugës Elbasan-Qafë-Thanë, po rrugën e vjetër, në një vend ku terreni malor, formacionet argjilore dhe shpatet e paqendrueshme janë afektuar ndjeshëm, siç ka ndodhur në shumë vende, duke u nisur nga Greqia fqinje për shkak të reshjeve shumë intensive dhe këmbëngulëse të këtij dimri”, tha Rama.
Ai u shpreh se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë menjëherë dhe po punohet për hapjen e rrugës alternative.
“Edhe një herë, është shembulli tipik, më i freskët i diferencës midis realitetit dhe të vërtetat e një Shqipërie që ngjitet dhe dëshpërimit të atyre që përfaqësojnë Shqipërinë, që ne gjetëm në humnerë dhe që nga humnera ku ndodhen, duan ta tërheqin këtë vend poshtë, po nuk kanë për t’ia dalë sepse kjo Shqipëri nuk ndalet”, tha Rama.
Rama: Rritja e pagave në sistemin arsimor, një nga vendimet më të rëndësishme
Kreu i qeverisë u ndal edhe te vendimi për rritjen e pagave në sistemin e arsimor duke e konsideruar nga më të rëndësishmit.
Ai tha se nga 1 janari, hyri në fuqi indeksimi me 2.5% i pagës bruto dhe për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jo mësimorë të arsimit parauniversitar.
Për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, aplikohet dhe një shtesë tjetër prej 3 mijë lekësh, që do të thotë që rritja e përgjithshme për këto kategori, arrin nga 4% deri në 5.17%.
“Kjo është një risi në buxhetin e shtetit shqiptar, pra indeksimi i pagave, gjë që është aktuale në këtë pikë të bisedës për mësuesit, por nuk janë vetëm mësuesit, që përfitojnë nga ky indeksim gjë që ndodhte deri dje, vetëm për pensionistët, sepse ato ishin dje mundësitë. Sot, kjo Shqipëri ka mundësi të reja dhe siç e kam thënë në kohë të padyshueshme kur i thonë fjalës, pra, atëherë kur këto gjëra nuk ndodhnin, kam thënë se do të ndodhnin, që sa herë ne të rrisim mundësitë, duke rritur ekonominë, aq herë rritja e mundësive do të kthehet në diçka e prekshme për njerëzit”, tha Rama.
Grant 2026 – Financimi për startup-et
Ai u shpreh se është fuqizuar edhe skema e mbështetjes për startupet në kuadër të Grantit 2026.
“Në fazën fillestare, mbulojmë 100% të kostove dhe pastaj në fazën e vlerësimit financimi rritet, duke shkuar me mbulim 85% për startup-et që kanë testuar produktin dhe që po konsolidojnë modelin e biznesit. Ndërsa, pastaj në fazën kur vjen rritja, atëherë pra rritja e startup-it në fushën e lojës konkurruese, financimi shkon në 75% për kompani që janë në treg dhe që pikërisht po synojnë të ngjiten. Kjo, nuk është thjesht një skenë financimi, është një mekanizëm për të kultivuar një kulturë të re sipërmarrje. Sipërmarrje që bazohet tek kurajoja, tek inovacioni dhe tek orientimi drejt tregut global, gjë që po e bëjmë me gjithmonë e më shumë sukses, gjithmonë e më shumë sipërmarrje njerëzish, vajzash dhe djem të talentuar të këtij vendi. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese vetëm mbi sektorët tradicionalë, por me fokus në teknologji, shërbime dixhitale, inteligjencë artificiale, pra me produkte me vlerë të shtuar, që konkurrojnë jashtë në tregun rajonal dhe europian, pa i nxitur të rinjtë dhe të rejat e talentuara, që të ikin nga ky vend, por që nga ky vend të pushtojnë botën”, tha Rama.
Raporti i BERZH, Rama: Ekonomia shqiptare po rritet me qëndrueshmëri
Për kryeministrin raporti i fundit i BERZH konfirmon se ekonomia shqiptare po rritet me qëndrueshmëri.
“Në vitin 2025 sipas BERZH-it rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte afro 4%, ndërsa për periudhën 2026-2027 parashikohet një ritëm i ngjashëm. Këto nuk janë thjeshtë shifra statistikore, janë indikatorë të një stabiliteti makro-ekonomik dhe të një besimi të ri të Shqipërisë tek vetja dhe të investitorëve tek Shqipëria. Rritja mbështetet kryesisht në sektorë, jo vetëm tradicional, pra në sektorin e pasurive të paluajtshme që mund ta quajmë tradicional, por edhe në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, gjë që është një prurje e re në portofolin e ekonomisë tonë dhe që lidhet edhe me atë që thashë në pikën e mëparshme të këtyre shënimeve. Një tjetër element domethënës se niveli rekord i investimeve të huaja direkte në vitin 2025, të përqendruara edhe këto në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare, një pikë që i përgjigjet asaj pyetjes së famshme dhe famëkeqe – “Kush i blen këto apartamente”, “kush i blen këto ndërtime” dhe ndërkohë që blerësit me nënshtetësi të huaj, jo vetëm shqiptarë, që kanë marrë një nënshtetësi të huaj, por flasim këtu për të huaj që kanë nënshtetësi të huaj dhe kombësi të huaj, vetëm rriten. Dhe e fundit, në Ballkanin Perëndimor, Berzh-i parashikon një përshpejtim të rritjes ekonomike, edhe në vitin 2026, edhe në vitin 2027, gjë që përbën patjetër një lajm shumë të mirë edhe për Shqipërinë, që pozicionohet me një ritëm konkurrues në këtë rajon”, tha Rama./kb
