Last Updated on 09/12/2025 by Monika
“Për të qenë opozitar duhet të jesh i besueshëm. Nëse qytetarët nuk të shohin si shpresë apo si ndryshim, nuk do të të japin mbështetje.” Kështu u shpreh kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Shehaj theksoi se drejtësia po bën një punë të rëndësishme dhe se të korruptuarit po dalin para ligjit. Ai u tregua gjithashtu kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se “fati i tij është i vendosur: ose në burg, ose në arrati”.
“E përsëris: të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Qytetarët nuk duhet të ndikohen nga analistë të paguar. Ne nuk mund të mbajmë një ministre të korruptuar vetëm për të ruajtur një linjë me Kanadanë. Rama thotë: ose me të korruptuarën, ose pa gjë. Ai mund të shpikë çfarë të dojë, por fati i tij është vendosur, dhe jo në Shqipëri—është vendosur jashtë. Shqipëria nuk mund të mbetet një nga vendet më të korruptuara në Europë. Edi Rama e ka të ardhmen ose në arrati, ose në burg.”
Shehaj shtoi se është detyrë e forcave politike të mendojnë për të ardhmen e vendit:
“Duhet t’i japim një zgjidhje situatës, por duhet të ndajmë qartë: ose jemi me drejtësinë, ose me të korruptuarit. E di që me disa forca politike është e vështirë. Nuk besoj se Berisha do të vijë në mbrojtje të drejtësisë. Ka parti të tjera me mentalitet antiamerikan. Detyra ime është të shtrij dorën, e më pas mbetet për t’u parë se si do të vijojë.”/mxh
