Last Updated on 05/05/2026 by EL
Nga ARTUR AJAZI
Ka vite që burgjet mbushen , zbrazen, mbushen dhe prap zbrazen. Futen në burgje, kodoshët, hajdutët, drogaxhinjtë, kriminelët, të korruptuarit, prostitutat, djem, vajza, burra, gra, pleq, vendas dhe të huaj. Nga 5 burgje dikur, sot kemi 8 të tilla. Nga 2115 vende dikur, sot kemi mbi 9500 vende të tilla në të gjitha vendet e vuajtjes së dënimit. Ka burgje për burra, gra, djem dhe adoleshentë. Shpesh burgjet bashkojnë 15 vjeçarin me 35 vjeçarin, 40 vjeçaren me 65 vjeçaren. Shpesh bashkohen edhe krimineli dhe hajduti celularit, dhe bëhet një mish-mash, që prodhon dhunë, dhe raste ekstreme. Ka patur edhe vrasje, plagosje, dhunë mes grupimesh, dhunë ndaj gardianëve, mes policësh në burgje për të ndarë lekët e korrupsionit, etj. Dhe kjo ka ngjarë më shpesh. Prokuroria e Posaçme ndryshe SPAK, është treguar e “pamëshirshme”, dhe mirë ka bërë, ndaj ndonjë zyrtari që rezulton se ka vjedhur nga posti dhe institucioni, 3 apo dhe 13 milion euro. E ka arrestuar, e ka rrasur në qeli, dhe pasi ka kryer hetimet e “nevojshme”, e ka nisur në GJKKO. Prej andej, me “gjykimin e shkurtuar”, zyrtari ka marrë 4 apo 5 vite burg, dhe ka dalë nga burgu, pasi i futen në llogari, edhe vitet e qendrimit në qeli. Pasi del, natyrisht gëzon paratë e fituara me “djersën e ballit”, madje kërkon të rimarrë edhe ndonjë apartament të sekuestruar nga SPAK apo GJKKO. Ai del, kurse hajduti celularit vazhdon të mbetet në qeli, ai që ka vrarë me makinë ndonjë të pafajshëm del, pasi “nuk ka prova se ka kryer vrasje me dashje”, kurse ai që ka ndertuar ndonjë “mur pa leje” tek toka e tij, mbetet në qeli. Burgjet plot. Po me se, me fakirë, me ata që nevoja i ka çuar deri tek vjedhja e ndonjë biciklete apo celulari ? Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi masën ekstreme të “arrestit me burg”, duhet të ndergjegjësojë strukturat vendimarrëse të gjykatave poshtë saj. Në vitin 2022, një vjedhës celulari, kishte 9 muaj brënda, dhe as ishte pyetur nga prokurori. Sikur të mos ishin ankuar në media familjarët e tij, ai edhe sot e kësaj dite, do të ishte në burg. Nuk jam kundër arrestimeve të hajdutëve, mashtruesve, apo dhe kriminelëve të rrugës, por gjithsesi para arrestit me “burg” ka edhe gjoba të majme, që do të kishin efekte të jashtëzakonshme tek autorët e këtyre veprave penale. Edhe sikur të mos paguajë gjobën, ka sekuestrime të natyrave të ndryshme, që bëjnë efektin e duhur. Kjo për faktin sepse, mbushja dhe tejmbushja e qelive me individë të tillë, sjell natyrshëm situata dramatike në burgje. Hapja e kufinjve, liria e lëvizjeve, dhe vetë sistemi ky jetojmë, sjell pasoja negative në jetën dhe ambientin që na rrethon. Nuk mund të ndalësh të vijë në Shqipëri një shtetas nga SHBA, Europa, Kina, apo Lindja e Mesme , por mbetet detyrim ligjor ta kontrollosh dhe verifikosh në detaje. Sa autorë krimesh ka patur në 15 vitet e fundit, që kanë hyrë si “turistë”, dhe kanë vrarë, grabitur, apo sjellë drogë në Shqiperi ? Mbingopja e burgjeve në Shqipëri, mbetet problem i madh, po ashtu edhe në botë. Rritja e numrit të atyre që merren me trafiqe dhe vepra të tjera penale, ka vënë në vështirësi të madhe organet ligjzbatuese në pothuajse gjithë globin. Larmia e veprane të rënda penale në botë, e kalon me mbi 80 per qind, numrin e veprave penale të krimit të rrugës. Forcimi i ligjit, dhe zbatimi i tij në praktikë “gërmë për gërmë”, mbetet e vetmja zgjidhje për të ndalur rritjen e frikshme të numrit të personave që po mbushin burgjet në Shqiperi dhe jo vetëm. Kjo natyrisht duket e pamundur, por jo e paarritshme.
