Last Updated on 17/03/2026 by Monika
Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) ka marrë një vendim të pazakontë dhe me ndikim të madh në futbollin kontinental, duke i hequr titullin e Kupës së Afrikës Senegalit dhe duke ia akorduar atë Marokut, rreth dy muaj pas përfundimit të finales së “TotalEnergies AFCON Marok 2025”.
Vendimi është marrë nga Bordi i Apelit i CAF, i cili konstatoi se përfaqësuesja e Senegalit ka humbur ndeshjen për shkak të braktisjes, në përputhje me nenin 84 të rregullores së kompeticionit. Si rezultat, finalja regjistrohet zyrtarisht me rezultatin 3-0 në favor të Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit (FRMF).
Sipas vendimit zyrtar, Senegal u tërhoq nga loja disa minuta para përfundimit të saj, pas një penalltie të akorduar nga arbitri, e cila më pas u humb nga lojtari maroken Brahim Díaz. Ky akt u konsiderua shkelje e rëndë e rregullave disiplinore dhe garuese.

Bordi i Apelit pranoi ankimimin e federatës marokene dhe rrëzoi vendimin e mëparshëm të Komisionit Disiplinor të CAF. Në argumentimin e tij, ai thekson se sjellja e ekipit senegalez bie në kundërshtim me nenet 82 dhe 84 të rregullores, duke e cilësuar braktisjen e ndeshjes si të papranueshme dhe të dënueshme me humbje në tavolinë.
Në të njëjtën kohë, CAF mori edhe disa vendime disiplinore shtesë lidhur me incidentet gjatë finales. Lojtari i Marokut, Ismaël Saibari, u dënua me dy ndeshje pezullim, nga të cilat një e pezulluar, ndërsa gjoba prej 100 mijë dollarësh ndaj tij u anulua.
Ndërkohë, Federata Marokene u shpall përgjegjëse për disa incidente organizative gjatë ndeshjes, përfshirë sjelljen e mbledhësve të topave dhe përdorimin e lazerit në stadium. Si pasojë, gjobat ndaj saj u reduktuan në disa raste, përkatësisht në 50 mijë dhe 10 mijë dollarë, ndërsa një tjetër gjobë prej 100 mijë dollarësh për ndërhyrje në zonën VAR mbetet në fuqi.
Të gjitha kërkesat e tjera të paraqitura në proces janë rrëzuar nga organi i Apelit.
Ky vendim pritet të shkaktojë reagime të forta në opinionin sportiv dhe institucional, duke hapur një debat të gjerë mbi menaxhimin e situatave të tensionuara në ndeshje të nivelit të lartë dhe zbatimin rigoroz të rregulloreve nga organet drejtuese të futbollit afrikan./mxh
