Last Updated on 14/09/2026 by EL
Ermal Mulosmani
Pasnesër është një ditë shumë e rëndësishme për historinë e Kosovës. Një ditë e tillë që përcakton ecurinë e mëtejshme të saj në një botë që po ndryshon në mënyrë të frikshme prioritetet gjeopolitike të saj. Çka ishte dje në qendër sot, befas rezulton në periferi.
Amerika, forca më e madhe globale ka kohë që udhëhiqet nga interesa të saj më shumë sesa ato globale. Sot motoja e saj është: sa interes kemi ne nga ky zhvillim dhe jo sa interes ka bota apo demokracia. Jo më larg se dje zoti Trump dënoi sulmet ukrainase me dronë ndaj depove ruse të naftës- në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj çdo gjëje ukrainase. Pra zoti Trump po u kërkonte ukrainasve që të rrinin urtë se po i dëmtohej “ekonomia botërore”. Dhe zoti Zelensky duhet të matet mirë përpara sesa ti përgjigjet. Sepse është në një situatë që nuk ia lejon të thotë atë që mendon. E drejta është e parëndësishme kur në lojë futet FORCA. Dhe fatkeqësisht FORCA është futur në lojë rëndshëm këto kohë.
Fatkeqësisht ne nuk e kemi këtë vektor të rëndësishëm të ekzistencës. Jemi të dobët dhe të parëndësishëm, për pasojë të brishtë dhe me probabilitet të lartë të jemi viktima.
Gjyqi i nesërm zhvillohet në këtë atmosferë të pafavorshme. Kosova është dënuar të paguajë një çmim shumë të lartë: Të shpallë çlirimtarët e saj kriminelë dhe t’i dënojë ata! Që ta sqaroj pak, çlirimtarët dihet që janë amrikanët dhe NATO por në mënyrë simbolike dhe me njëfarë të drejte, në zemrat e kosovarëve luftëtarët e UÇK-së janë alfa e lirisë.
Me një Gjykatë të dalë prej Parlamentit të saj, të urdhëruar prej Amerikës dhe të krijuar prej atij që pritet të jetë “Kryekrimineli”. Pra prej Hashim Thaçit.
Qëllimi është i qartë. Duhet t’i bëhet një koncesion Rusisë dhe Serbisë. Sepse janë më të rëndësishme se Kosova momentalisht. Sipas mendimit tim asgjë nuk do t’i ndalë amerikanët për t’i kënaqur aleatët e saj të rinj. Ata do ta çojnë deri në fund nismën e tyre duke i dënuar të akuzuarit dhe duke i vënë një damkë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faktet janë jo fort të rëndësishme. Siç nuk është i rëndësishëm më “trafiku i organeve”, pikënisja e kësaj Gjykate. Ajo duhej veç në fillim, sa për sensibilizim
Ka një opinion- sipas meje shumë naiv- që mbron tezën se dënimi i luftëtarëve nuk e dëmton imazhin e luftës çlirimtare të kosovarëve. Kosovën jo e jo. Është një farë gëzimi i heshtur që shfaqet me “ndarjen e luftëtarëve të thjeshtë të lirisë, popullit dhe udhëheqjes zullumqare”.
Katërshja që po gjykohet në Hagë, me apo pa të drejtë, janë simboli i Luftës, truri i saj. Pavarësisht se unë i besoj deri në palcë si të vërteta pretendimet e zotit Thaçi që ata nuk e kishin nën kontroll luftën, se zona të caktuara nuk ishin në kontroll të Shtabit. Dhe kjo është normale. Kosova nuk kishte një ushtri të rregullt e të organizuar, lufta kishte në themel të saj njerëz që i kishte çuar në armë revolta ndaj shtypjes serbe. Të pretendosh që një ushtri e improvizuar ditë pas dite, me ushtarë e komandantë të lindur nga halli, të kishte organizimin e një ushtrie klasike është naivitet.
Por kjo aspak nuk e zhbën kontributin e Hashim Thaçit. Dhe sa herë them Hashim Thaçit kam parasysh gjithë të tjerët.
Ata ishin të përzgjedhur e Amerikës, të përzgjedhurit e UÇK-së. Spaletat ua dha historia. Ua dha Rambujeja, Clinton, Ollbrajt, Rubin e Klark, ua dha edhe Millosheviçi që i identifikoi si “terroristë”. Të të quajë një kasap si terrotist është të të gradojë.
Politika operon me simbole. Thaçi u bë- i pëlqen apo jo dikujt- simboli i UÇK-së, përfaqësuesi politik i saj.
Asnjë Gjykatë në botë nuk mund të dënojë gjithë luftëtarët e një ushtrie. Madje, edhe nëse dënon 2 mijë luftëtarë me krime të faktuara (po supozoj një numër relativisht të madh) kjo nuk e dëmton imazhin e luftës. Do të jetë ajo që quante Stalini për përdhunimet dhe masakrat e Ushtrisë Ruse në vendet e çliruara: “epo të rinj edhe u duhet pak relaks”.
Ndërsa po të dënosh simbolin e Luftës si kriminel lufte, ia ke vënë vulën asaj lufte, asaj ushtrie. Ke shkuar te etiketimi i Millosheviçit. Kush mendon ndryshe-sipas meje ose është i interesuar që kjo të ndodhë ose meskin ose është krejtësisht naiv.
Për naivët kam një mirëkuptim. Ata jetojnë në një botë ideale ku drejtësia ka më shumë rëndësi sesa gjithçka. Aty afër janë edhe meskinët që i gëzohen mllefeve personale, jetëve të humbura në periudhën euforike të parë, asaj periudhe të errët të ish luftëtarëve.
Unë e besoj që Hashim Thaçi është fajtor për klimën e tmerrshme që sundoi në Kosovë në vitet e para të lirisë. Është fajtor për nxitjen e një klime euforike mes të vetëve. Është fajtor që nuk e respektoi Ibrahim Rugovën në vdekjen e tij. Mbi të gjitha: Është fajtor që nuk kuptoi se ishte pakicë!
Nëse do kuptonte këtë, do sillej më i përulur, më i dashur me kundërshtarët, më bashkëpunues, më tolerant, më i përmbajtur.
Kur e kuptoi ishte pak vonë.
Unë besoj se ai ka mëkate. Por jam i bindur se vendi i tij në historinë e Kosovës nuk mund të zhbëhet kurrsesi. Ai është faktori kryesor si i përzgjedhuri i çlirimtarëve në sulmet e Natos, është partneri kryesor i George Bush në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Këto gjëra nuk do të zhbëhen dot. Askush nuk i ka prekur dhe nuk do t’i prekë më maja të tilla politike.
I them këto më lart për të thënë që nga dënimi i tij sunduesit e sotëm të Kosovës do të bëhen edhe më të vegjël. Vendi i një njeriu në histori nuk përcaktohet nga puna në liri. Askush nuk i mban mend gjithë Presidentët Amerikanë por kurrë nuk harron Ruzveltin, nuk mban mend Kryeministrat anglezë por nuk harron Çurçillin, Stalini mbizotëron mbi çdo udhëheqës rus. Koha që do kalojë do ta bëjë edhe më të madh Hashim Thaçin, edhe më të vegjël kundërshtarët e tij.
Dhe këto fjalë po i shkruan një nga njerëzit që ka shkruar me dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike ndaj tij. Por sot është momenti të themi disa të vërteta.
Hashim Thaçi po dënohet sepse Kosova është e vogël dhe jo e fortë. I thanë: “Hashim, na duhet edhe një sakrificë e fundit”. Dhe Thaçi e dha.
Bindja ime është që Thaçi nesër do të dënohet. Përndryshe ç kuptim ka gjithë kjo përpjekje politiko-financiare dhe gjeopolitike e të fortëve? Që në fund të jepnin pafajësinë? Është naive edhe kjo.
Problemi më i madh që lind pas kësaj është: Çfarë do të ndodhë me Ksoovën në detin e trazuar të një bote ku vendoa FORCA?!
Kjo më brengos më së shumti.
