Didier Deschamps ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm në historinë e kombëtares së Francës. Pas 14 vitesh në drejtimin e “Gjelave”, trajneri i dha fund aventurës së tij në pankinën e ekipit kombëtar me ndeshjen për vendin e tretë në Botërorin.
Edhe pse fundi i rrugëtimit nuk solli rezultatin që ai dëshironte, Deschamps zgjodhi të flasë për vendimin e tij, duke theksuar se largimi nuk ishte një zgjedhje personale, por një hap që sipas tij i shërbente interesit të kombëtares franceze.
Sipas Deshamp, kombëtarja franceze është mbi çdo individ dhe asnjë person nuk mund të jetë më i rëndësishëm se fanella që përfaqëson vendin.
Trajneri francez shpjegoi se vendimi për t’u larguar nuk ishte marrë në mënyrë të menjëhershme. Ai bëri të ditur se kishte reflektuar për një periudhë të gjatë përpara se të merrte këtë hap.
Po ashtu ai bëri dhe një deklaratë të bujshme, duke thënë se mjedisi u bë i padurueshëm për të.
“Ekipi kombëtar francez është mbi gjithçka. Nuk më përket mua. Kam qenë në shërbim të tij në një mision për 14 vjet. Nuk ka asgjë që kalon këtë fanellë.
Vendosa që duhej të mbaronte. Dhe nëse e mora këtë vendim, nuk ishte për veten time, ju them sinqerisht, ishte për të mirën e ekipit kombëtar francez. Mund të mos e kem thënë më parë, por do t’ju them me sinqeritet, nuk ishte për veten time që e mora këtë vendim. Meqenëse mjedisi ishte kaq i padurueshëm për mua, ekipi kombëtar francez nuk e meriton këtë.
Vendimi nuk u mor brenda natës. Por që kur u njoftua, gjërat kanë qenë shumë më mirë për ekipin francez. Mund të kisha marrë një vendim para Kupës së Botës, gjatë Kupës së Botës. Nuk doja, sepse kam shumë respekt për ekipin francez.
Ka dy mundësi, të jem trajner klubi apo ekipi kombëtar. Të dyja janë të mundshme. Por ka diçka, ka një obligim diskrecioni në të ardhmen time. Do të përmbahem nga të folurit për ekipin francez nga kjo mbrëmje e tutje”, deklaroi Deschamps.
Kështu mbyllet një periudhë 14-vjeçare e Didier Deschamps në pankinën e Francës. Gjatë kësaj kohe ai drejtoi ekipin në disa kompeticione madhore dhe mbeti një nga trajnerët më jetëgjatë në futbollin ndërkombëtar. Arritja më e madhe ishte fitimi i Kupës së Botës në vitin 2018. Tashmë vëmendja zhvendoset te e ardhmja e tij dhe te fillimi i një cikli të ri për kombëtaren franceze nën drejtimin e Zinedin Zidan./mxh
