Deputeti i PD-së Belind Këlliçi në Ditën e Europës ka deklaruar se Shqipëria është më pak demokratike dhe më pak e lirë.
Deputeti thotë se kjo ditë e gjen Shqipërinë më të zbrazur nga të rinjtë që ikin, më të korruptuar nga aferat, me një kryeministër që ndalon protestat, me dhunë policore, me krizë dhe tensione.
“Dita e Europës e gjen Shqipërinë më pak demokratike, më pak të lirë!
E gjen më të zbrazur nga të rinjtë që ikin. E gjen më të korruptuar, me aferat më të rënda në histori. Kjo ditë e gjen Shqipërinë me pabarazinë më të madhe sociale dhe para ligjit ku me votë në Kuvend, Kryeministri vendosi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë mbi qytetarët, nuk mund të veprojë drejtësia mbi ta.
Vetëm një natë më parë, Edi Rama ndaloi dhe protestën.
Me dhunë policore ai ndërpreu marshimin e qytetarëve që janë kundër korrupsionit.
Me siguri nuk do të mungojnë sot eventet fasadë e do shpërthejë propaganda ngado. Por të vërtetat e dhimbshme janë aty duke e thelluar edhe më shumë krizën e tensionin në vend.
E vetmja gjë europiane në politikë sot është rezistenca, protesta.
Bashkimi i demokratëve dhe qytetarëve të lirë përballë regjimit.
Kjo kauzë është ngritur mbi vlera e parime, ndaj dhe do të triumfojë, herët a vonë”, shkruan Këlliçi./ kb
