Last Updated on 25/02/2026 by Monika
Edi Rama nuk ka kursyer as këtë herë batutat thumbuese ndaj kundërshtarëve politikë, duke përdorur Portugalinë si pasqyrë për realitetin shqiptar. Përmes një shënimi në X, Kryeministri shpreh “çudinë” se si në një vend të Bashkimit Europian po ndodhin të njëjtat fenomene ndërtimi, por reagimi atje është krejt ndryshe.
“Çudi e madhe,” – shkruan Rama – “në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se si ka mundësi që opozita atje është në gjumë!”
Kreu i mazhorancës ironizon hapur atë që ai e quan “mexhelisi mediatik” i Tiranës, duke i etiketuar studiot televizive si “700 tenxhere të flakta”. Sipas Ramës, nëse kjo rrugë do të ndërtohej këtu, “gjithollogët” do të kishin nxjerrë tashmë “faktet e tmerrshme” që fshihen nën asfalt.
Në shënjestrën e kryeministrit është padyshim retorika e “narkoshtetit”. Rama pyet me sarkazëm se si ka mundësi që opozita jonë, gjithmonë e gatshme për në SPAK, nuk ka dërguar ende një padi për këtë vepër në Portugali, ku sipas logjikës së tyre, padyshim duhet të jetë “dora e narkoshtetit shqiptar”.
Për Ramën, ndërsa në Portugali “tenxheret mediatike” janë me temperaturë të ulët dhe punët e rrugëve të reja vijojnë pa zhurmë, në Shqipëri çdo projekt kthehet në një teatër akuzash. Ky reagim vjen në një kohë kur debati për koston e rrugëve dhe koncesionet mbetet kali i betejës për opozitën, e cila i sheh ato si burimin kryesor të korrupsionit qeveritar./mxh
