Last Updated on 01/03/2025 by adminfjala
Kreu i qeverisë Edi Rama iu është përgjigjur akuzave për “arratisjen” e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe flet për shëndetin e rënduar të Agaçit, ndërsa e akuzon Sali Berishën për linçim dhe shpifje sistematike. Rama i ka dalë në krah bashkëpuntorit të tij, duke hedhur poshtë akuzat e Berishës.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet personalisht dhe me tone të ashpra akuzave të opozitës për “zhdukjen” dhe “arratisjen” e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Kreu i qeverisë rrëfeu për herë të parë gjendjen e vërtetë shëndetësore të bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë dhe u përball hapur me akuzat që vijnë nga kampi opozitar. Rama njoftoi se Engjëll Agaçi ndodhet prej kohësh në Itali për shkak të një situate shëndetësore kritike. Ai tregoi se Sekretari i Përgjithshëm ka kaluar një krizë të rëndë kardiake, me bllokim të arterieve koronare, që kërkoi ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Menjëherë pas operacionit, komplikacionet e njëpasnjëshme bënë që mushkëritë e tij të dalin jashtë funksionit, duke e detyruar stafin mjekësor ta kalojë në aparatura të frymëmarrjes së drejtuar. Për javë me radhë, sipas Ramës, Engjëll Agaçi ka qëndruar mes jetës dhe vdekjes, në reanimacion, nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve italianë. Edhe sot, ndërsa kryeministri po e bënte publik këtë rrëfim, Agaçi vijon të jetë në terapi intensive për rehabilitimin e mushkërive të dëmtuara rëndë. Një betejë e gjatë dhe e dhimbshme, ku, sipas Ramës, më e rënda nuk ka ardhur nga sëmundja, por nga sulmi i pandalshëm dhe i pamëshirshëm politik që i është bërë nga opozita dhe disa media të lidhura me të. Me një gjuhë të ashpër dhe ironike, Rama e cilësoi Sali Berishën dhe rrethin e tij politik dhe mediatik si një “kënetë të helmuar”, e cila, sipas tij, ka marrë peng jo vetëm emrin e Engjëll Agaçit, por edhe familjen e tij, gruan, vajzën, nënën dhe të afërmit. Sipas Ramës, këta aktorë politikë kanë ndërtuar një skenar fantazmagorik për arratisjen e Engjëll Agaçit nga drejtësia, duke shpifur për sekuestrimin e laptopit të tij dhe për përfshirjen e tij në skema korruptive, kur në fakt ai po luftonte për jetën e tij në një shtrat spitali në Itali “Këneta e bufit”, siç e quajti Rama Berishën dhe mediat pranë tij, ka shpikur teori konspirative për t’i shërbyer betejës politike, pa asnjë skrupull moral dhe pa asnjë respekt për dramën njerëzore që po kalon Agaçi dhe familja e tij. Për të nxjerrë në pah figurën e bashkëpunëtorit të tij të afërt, Rama rikujtoi se Engjëll Agaçi është një jurist i shkolluar në Itali, i cili ka punuar për një nga studiot më prestigjioze të avokatisë në Romë, para se të kthehej në Shqipëri me ftesën e Ramës dhe të merrte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Për kontributin e tij në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, Engjëll Agaçi është dekoruar me medaljen e nderit nga Presidenti i Republikës Italiane — një fakt që Rama e sjell si kundërpeshë ndaj baltës dhe shpifjeve që, sipas tij, i janë bërë në këto javë të fundit. Rama nuk kurseu asnjë grimë ashpërsie në drejtim të Sali Berishës, duke e cilësuar atë një karikaturë politike dhe një përçudnim të shqiptarit, që vijon të mbajë peng vendin dhe të helmojë klimën publike me shpifje dhe konspiracione. “Është e pabesueshme që në vitin 2025, ka ende shqiptarë që zgjedhin të brohorasin për ‘kënetën’ dhe jo për Shqipërinë që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian,” tha Rama, duke paralajmëruar se maji do të jetë një muaj i përvëluar për opozitën dhe ata që ai i quajti “mushkonjat e kënetës”.
Berisha: Nga Roma vijnë fotot e Agaçit në kafene!
Kreu i PD-së Sali Berisha ka denoncuar zhdukjen e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ëngjëll Agaçi në kundërshtim me atë që thotë kryeministri Rama se ai ka kaluar një sëmundje të rëndë. Sipas Berishës të dhënat për Agaçin “nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene”, duke e përshkruar atë si një person në arrati. Berisha tha se Agaçi ka 1 muaj që është zhdukur, ndërsa po të ishte ndryshe, do të tregohej të paktën spitali ku kurohet. “Tani historiku i Engjëll Agaçios, ai ka një muaj që është zhdukur, është zhdukur. Nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Po të ishte se, është e vërtetë, ai tregon spitalin, klinikën. Të pyes pak unë këtu Edi Ramën. Po zotrote kur hoqe zorrën qorre, ç’të shtyu ty të botosh fotografinë ditën e dytë të operacionit, apo ditën e parë? Pse ti operacionin në trupin tënd nuk e mbajte sekret, por e nxorre në publik dhe na mbajte dy javë rresht zorra qorre, sa të doli në gojë? Kurse tani për Agaçion, sekret spitali, sekret largimi dhe jo vetëm kaq”, tha Berisha. Kryeministri Edi Rama reagoi për këtë çështje duke i kthyer përgjigje Berishës se Agaçi ndodhet në një spital në Itali, ku po lufton me jetën. Rama mohoi edhe akuzat për “kontroll në Kryeministri” apo “sekuestrimin e laptopit të Agaçit”. Ëngjëll Agaçi u thirr në SPAK rreth një vit më parë për të dhënë dëshminë për aferën e inceneratorit të Tiranës. Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë është një nga personat kryesorë që opozita e cilëson si përgjegjësit për bonusin që iu dha kompanisë së Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit nga qeveria, ndërkohë që kjo kompani nuk ishte krijuar akoma. Po ashtu, ai është në krye të mekanizmit juridik që bëri të mundur kalimin e 17 procedurave brenda një dite në gjithë institucionet, një ditë para se të mbahej mbledhja e Këshillit të Ministrave dhe të miratohej aty draft kontrata për inceneratorin e Elbasanit.