Last Updated on 27/11/2025 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar kërkesën e kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për heqjen e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyrat e zv.kryeministres dhe ministres.
Sipas Lalës, Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar çështjen si prioritare dhe shqyrtimi i saj është planifikuar të zhvillohet më 2 dhjetor. Ajo shpjegoi se, pas paraqitjes së kërkesës së kryeministrit, u krijua vakancë në kolegjin gjyqësor për shkak të përfundimit të mandatit të një prej anëtareve, dhe në vend të saj është caktuar gjyqtarja Marsida Xhaferllari.
Gjyqtarja e re kërkoi kohën e nevojshme për t’u njohur me dosjen, ndërsa kolegji vendosi që çështja t’i kalojë seancës së gjyqtarëve në datën e përcaktuar.
GJK ka bërë të ditur se kërkesa e kryeministrit lidhet me pezullimin nga funksionet ekzekutive, të vendosur nga gjykata e posaçme, ndërsa çështja është trajtuar me prioritet për shkak të rëndësisë së saj institucionale.
Sipas Lalës, kryeministri kërkon pezullimin e menjëhershëm të masës që i ndalon Ballukut ushtrimin e detyrave si zv.kryeministre dhe ministre, duke argumentuar se ky vendim krijon vakum institucional dhe pengon proceset qeveritare, përfshirë nënshkrimin e qindra projekt-akteve që lidhen me integrimin europian. Po ashtu, sipas kërkesës, masa e vendosur nga gjykata konsiderohet ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit, presidentit dhe Kuvendit.
Kreu i qeverisë kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese të nenit 103, pika 3, që parashikon se ministri gëzon të drejtat e deputetit. Lala sqaroi se, sipas vendimit të gjykatës së posaçme, pezullimi prek vetëm funksionet ekzekutive të Ballukut, pasi ato janë role të emëruara dhe jo të zgjedhura, ndërsa mandati i saj si deputete mbetet i paprekur./mxh
