Më në fund, në Partinë Demokratike ngrenë kryet disa burra. Pas një dekade të gjatë mpirjeje politike dhe moralit të rrënuar, disa prej figurave më të votuara e më të respektuara në bazë kanë bërë hapin që të tjerët e shmangën nga frika: sfiduan berishizmin e stërkonsumuar dhe u bashkuan në një tryezë për ringjalljen e partisë së dytë më të madhe në vend. Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Tedi Kopliku, Aulon Kalaja e të tjerë po ndezin shkëndijën e një PD-je që kërkon të shpëtojë veten përpara se të jetë vonë.
Fabula e tyre është e thjeshtë, e pastër dhe politikisht e pakundërshtueshme. Dyshja Salianji-Alimehmeti kanë nisur një “besëlidhje demokrate” të bazuar te morali dhe legjitimiteti: bashkim me më të votuarit e primareve dhe me më të votuarit e listave të hapura të 11 majit. Pra, jo me emra të emëruar në zyrat e bunkerizuara të autokratit Sali Berisha, por me ata që i ka zgjedhur populli. Kauza është e drejtë: të flasin ata që e mbajnë PD-në gjallë, jo ata që e kanë shndërruar në pronë të tyre, sikur partia të mos ishte aset kombëtar, por tokë e trashëguar nga baba.
Dhe kur ke votën e popullit, kur ke legjitimitetin e njerëzve që punojnë në terren, je plotësisht i drejtë kur kërkon reformim të PD-së. Kupola aktuale drejtuese është bërë si një kullë hermetike, ku nuk hyn dot askush pa një kusht të vetëm: të jesh lëpirës i Saliut. Të përkulesh para kryeplakut që e ka kthyer PD-në nga parti e shpresës në një kompani private familjare me aksione të trashëgueshme.
Kjo kupolë nuk pranon mendim ndryshe, nuk pranon frymë të re, nuk pranon as votën e demokratëve. Ajo pranon vetëm servilë që dinë të tundin kryet sipas nevojës dhe të përsërisin frazat e lodhura të liderit që jeton me nostalgjinë e viteve ‘90. PD ka mbetur peng i një mentaliteti ku besnikëria ndaj kryetarit vlen më shumë sesa besnikëria ndaj Shqipërisë.
Ndaj lëvizja e Salianjit, Alimehmetit dhe të tjerëve nuk është thjesht një debat brenda partisë, por është një revoltë morale kundër plakjes së shpresës. Është një thirrje për t’i kthyer PD-së dinjitetin, për ta bërë sërish ofertë politike dhe jo relike muzeale. Ata po tentojnë të thyejnë murin e frikës, atë mur që për vite ka mbrojtur jo PD-në, por privilegjet dhe pazaret e një njeriu të vetëm. Nuk po vëmë bast, por po mbështesim një frymë ndryshe, me shpresën se nuk do të jetë zhgënjyese si Foltorja e Doktorit.
Kjo lëvizje duhet marrë seriozisht. Jo sepse është perfekte, por sepse është e vetmja që sfidon hapur njeriun që ka marrë peng opozitën dhe e mban me zor, duke iu vërsulur gjithkujt që kërkon një PD të reformuar. Në një kohë kur shumë flasin në korridore, por pak guxojnë ta thonë me zë të lartë atë që duhet, këta djem po trondisin gjumin e gjatë të PD-së. Dhe nëse PD ka edhe një shans të fundit për t’u ringjallur, pikërisht te këto zëra që nuk i frikësohen as Saliut, as hijes së tij, duhet kërkuar shpëtimi. m.p.
