Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Partia Socialiste refuzoi kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Vendimi u mbrojt nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Top Story”.
Balla deklaroi se qëndrimi i shumicës bazohet në parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë dhe se vendimi nuk pengon vijimin e hetimeve nga SPAK.
“Dëshira e shumë njerëzve është që reforma në drejtësi të dështojë, por shumica, mes tyre edhe PS, duan që reforma të thellojë suksesin e vet. Ajo që kemi bërë publike sot është një vendim i duhur, në momentin e duhur sa i përket respektimit të normës kushtetuese. Zonja Duma, në Republikën e Shqipërisë nuk ka imunitet për askënd. Jemi ndër të pakta vende që e kemi këtë, duhet ta themi që vendet anëtare të BE, në pjesën më të madhe.”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se akuza ndaj Ballukut lidhet me “shkelje të barazisë në tendera” dhe sipas tij nuk bëhet fjalë për një vepër që domosdoshmërisht përfundon me dënim me burg.
“Akuza për të cilën, në fund të një procesi, nuk është vepër penale që mund të dënohesh me burg, mund të dënohesh edhe në forma të tjera”, tha Balla.
Debati në studio u shoqërua me replika të forta mes Ballës dhe moderatores së emisionit, Grida Duma.
Duma: Po fyen inteligjencën.
Balla: Nuk ofendoj inteligjencën e askujt. Kam respekt për ju si gazetare…
Duma: Për ty nuk kam asnjë politikan, po gënjen përtej masës së politikanit normal.
Balla reagoi duke thënë se Parlamenti ka vepruar në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe se kërkesa e SPAK nuk ishte e bazuar në rrezik për prishje provash apo arratisje.
“Kjo kërkesë nuk është bazuar në prova që Balluku po prish prova. Nuk ka asnjë rrezik që mund të arratiset”, deklaroi ai.
Përplasja mes të dyve vijoi edhe më tej gjatë debatit në studio. Balla iu drejtua moderatores me ironi: “Më kishte marrë malli të të kisha përballë se e ke lënë dobët grupin”, ndërsa Duma iu përgjigj duke theksuar se po përfaqësonte publikun.
Në një tjetër moment, moderatorja ngriti dyshime mbi logjikën e vendimit të shumicës dhe pyeti: “Pra a mund të thuhet që SPAK ka luajtur mendsh?”.
Balla theksoi se Balluku do të përballet vetë me akuzat në drejtësi dhe se procesi duhet të vijojë normalisht.
“Balluku betejën do e bëjë vetë me avokatët e vet”, përfundoi ai./fjala.al-A.D
