Last Updated on 28/04/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, për ndërmjetësimin që ajo i ka bërë marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për furnizimin e Europës me gaz të lëngshëm.
Sipas tij, Shqipëria prej kohësh tashmë, nuk ka një ambasador të akredituar në Tiranë, por vepron përmes Të Ngarkuarës me Punë. Ai theksoi se falë ndërmjetësimit të Guilfoyle dhe stafeve përkatëse, Vlora do të do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
“Vijmë te personi të cilit i detyrohem një shprehje mjaft të thellë mirënjohje, ambasadores Guilfoyle, ajo ka meritën të na bëjë të mos ndihemi jetimë, sepse pas një kohe të gjatë nuk kemi ambasador këtu. Falë jush kemi një aleat shumë të fortë që shërben në Greqi, por është më ambicioze se kufiri grek.
Menjëherë pas bisedës sonë me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjell një investim të madh. Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
Partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA, përçon sot një mesazh të qartë: Edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshëm. Edhe më shumë se kaq, mesazhi i sotëm nuk mund të jetë më i qartë kur vjen fjala për të lidhur nevojën jetike për energji me nevojën jetike për liri”, u shpreh kryeministri Edi Rama./ET
