Last Updated on 21/06/2026 by Kesjana
Një studim i ri ka zbuluar se murtaja ka goditur njerëzimin shumë më herët nga sa mendohej. Analiza e ADN-së së mbetjeve njerëzore të gjetura pranë Liqenit Bajkal, në Siberinë juglindore, ka identifikuar gjurmë të bakterit përgjegjës për murtajën, duke treguar se sëmundja po shkaktonte epidemi vdekjeprurëse që 5.500 vjet më parë. Deri më tani, shkencëtarët besonin se murtaja ishte shfaqur si pasojë e Revolucionit Neolitik, kur rritja e popullsisë dhe afërsia me kafshët e zbutura krijuan kushtet ideale për përhapjen e sëmundjeve infektive. Por studimi i publikuar në revistën shkencore Nature rrëzon këtë teori, duke treguar se edhe komunitetet e vogla të gjuetarëve dhe mbledhësve përballeshin me epidemi të rënda.
Studiuesit analizuan ADN-në e 46 individëve të varrosur në katër varreza përgjatë lumit Angara. Bakteri Yersinia pestis u identifikua në 39% të rasteve, duke zbuluar ekzistencën e dy valëve epidemike të ndara nga disa shekuj.
Vala e parë daton rreth 5.520–5.265 vjet më parë, ndërsa e dyta mes 5.315 dhe 4.235 vjetësh më parë. Ngjashmëria e madhe gjenetike e baktereve në valën e parë sugjeron se shumë vdekje ndodhën brenda një periudhe shumë të shkurtër, ndoshta gjatë një brezi të vetëm
Analizat treguan një numër jashtëzakonisht të lartë vdekjesh tek fëmijët e moshës 8 deri në 11 vjeç. Në të kundërt, varret e të rinjve nga 20 deri në 35 vjeç ishin pothuajse të papërfillshme.
Sipas studiuesve, kjo mund të nënkuptojë se të rriturit kishin zhvilluar një lloj imuniteti pas ekspozimit ndaj sëmundjes në fëmijëri, ose se fëmijët ishin më të ndjeshëm ndaj reagimeve të rënda inflamatore të shkaktuara nga ky variant i bakterit.
Analiza gjenetike zbuloi se këto janë shtamet më të vjetra të njohura të Yersinia pestis. Megjithatë, ato ndryshonin ndjeshëm nga bakteret që shkaktuan Murtajën e Zezë në Mesjetë. Këtyre shtameve u mungonte geni ymt, i cili i lejon bakterit të mbijetojë në zorrët e pleshtave dhe të transmetohet përmes pickimit. Kjo do të thotë se murtaja e asaj kohe nuk përhapej nga pleshtat, por me mënyra të tjera. Shkencëtarët besojnë se infeksioni fillestar vinte nga kontaktet me marmotat siberiane, të cilat përdoreshin si burim ushqimi dhe për lëkurat e tyre. Gjatë gjuetisë, përpunimit të mishit ose konsumit të mishit të papjekur mirë, bakteret kalonin nga kafsha te njeriu. Pas infektimit fillestar, sëmundja përhapej me shpejtësi përmes rrugëve të frymëmarrjes. Zbulimi i familjeve të tëra të varrosura së bashku, përfshirë rastin e tre kushërirave të reja, sugjeron shpërthime të murtajës pulmonare, e cila transmetohej nga personi te personi përmes pikëzave të pështymës.
Studimi tregon se epidemitë nuk janë vetëm produkt i qyteteve dhe shoqërive bujqësore. Edhe komunitetet e vogla nomade të gjuetarëve dhe mbledhësve përballeshin me kërcënimin e sëmundjeve që kalonin nga kafshët te njerëzit, një proces i njohur si zoonozë. Ky zbulim shtyn origjinën e murtajës më shumë se 5.500 vjet pas në kohë dhe ofron një pamje të re mbi mënyrën se si sëmundjet infektive kanë ndikuar në historinë e hershme të njerëzimit./kb
