Fiona Sturges*
Shrinking, seriali televiziv për Jimmy-n e Jason Segel-it, një psikoterapist në zi që nuk arrin të ndalojë së thëni pacientëve çfarë mendon vërtet, në letër duket mjaft i pafajshëm. Nga Frasier te In Treatment e deri te Sex Education, nuk mungojnë dramat televizive për terapistë disfunksionalë. Ajo që e dallon Shrinking nga turma është prania e Harrison Ford, i cili luan mentorin tetëdhjetëvjeçar të Jimmy-t. Këtu shohim një megayll hollivudian që konsumon ushqime me kanabis, përballet me dështimet si baba dhe përpiqet të mbajë nën kontroll simptomat e Parkinsonit. Edhe pse Segel ndan titullin kryesor me Ford-in, ky i fundit është tërheqja kryesore dhe merr replikat më të mira.
Edhe 1923 i Paramount, prequel-i i Yellowstone nga showrunner-i Taylor Sheridan, mbështetet në statusin e Ford-it si “burrë shteti” i kinemasë, duke portretizuar përpjekjet e një familjeje blegtorësh për të ruajtur pasurinë dhe pozitën e tyre gjatë Depresionit të Madh. Bashkë me Ford-in luan Helen Mirren, një tjetër aktore tetëdhjetëvjeçare që më parë ishte shfaqur me të në filmin e vitit 1986 The Mosquito Coast. I vendosur në Montana, 1923 është një dramë elegante që e kthen në art të lartë fizionominë e ashpër të protagonistëve, bashkë me prirjen e tyre për brutalitet.
Po çfarë duhet të mendojmë për plejadën e vjetër të kinemasë që ushtron zanatin e saj në ekranin e vogël? Dikur, yjet e Hollivudit të vjetër do ta kishin përbuzur kalimin në televizion. Një hap i tillë do të ishte shenjë e sigurt se karriera e tyre po fundosej, edhe pse Barbara Stanwyck dhe Joan Collins i shpërfillën snobët në vitet ’80 kur iu bashkuan kastit të The Thorn Birds dhe Dynasty. Collins u bë një yll edhe më i madh si super-zuzarja Alexis Carrington në Dynasty sesa kishte qenë në të njëzetat, nën kontratë me 20th Century Fox, në filma si Land of the Pharaohs dhe The Opposite Sex. Në të kundërt, interpretimi i sikletshëm i Charlton Heston në spin-off-in The Colbys pati efektin e kundërt, duke i dhënë thuajse goditjen përfundimtare karrierës së tij. Pas kësaj, aktori u kufizua në role komike episodike dhe mitingje të NRA-së.
Peizazhi televiziv i sotëm duket qartazi ndryshe për yjet hollivudianë që duan të zgjerojnë horizontet e tyre, duke ofruar më shumë larmi dhe, në përgjithësi, një dramë të një niveli më të lartë se dikur. Mjafton të përmendim Meryl Streep, e cila u shfaq në sezonin e dytë të Big Little Lies në vitin 2019 dhe më pas iu bashkua me gëzim komedisë hit të Hulu-t Only Murders in the Building. Ose Gary Oldman, që pasi ka luajtur Drakulën dhe Churchillin në ekranin e madh, shfaqet si një agjent i vjetër dhe i pakrehur në Slow Horses. Ose Kathy Bates, që luan avokaten shtatëdhjetëvjeçare në Matlock, e nënvlerësuar vazhdimisht për shkak të moshës. Apo Sylvester Stallone, që bën debutimin e tij televiziv si një bos mafioz veteran në Tulsa King, një tjetër serial i Taylor Sheridan-it. Në fakt, Sheridan – i cili së fundmi ka angazhuar Kevin Costner dhe Billy Bob Thornton në Yellowstone dhe Landman – duket sikur është në një mision personal për të nxjerrë aktorët veteranë meshkuj nga pensioni.
Pak nga këta yje në moshë mund të akuzohen se po “zbresin nivelin” në prodhime që janë kryesisht me buxhete të mëdha, edhe pse kanë punë për t’u vënë re në epokën e tepricës televizive. Nuk ka as ndjesinë se po jetojnë me lavditë e së shkuarës. Kur Jeff Bridges, yll i ekranit të madh në The Fisher King dhe The Big Lebowski, u bind të rikthehej në TV për të luajtur një ish-agjent të moshuar të CIA-s që mezi arrin të veshë çorapet në mëngjes, kjo ndodhi për serialin e FX Networks me titullin domethënës The Old Man. Në Shrinking, Ford-i duhet të përqafojë hapur statusin e tij si i moshuar dhe të portretizojë përpjekjen e personazhit përballë dobësisë në rritje. Krahasojeni këtë me ribërjen e Indiana Jones: Dial of Destiny në vitin 2023, ku, në moshën 80-vjeçare, ai riktheu heroin e aksionit me kamxhik dhe marifete.
Fakti që role të fuqishme televizive po shkruhen posaçërisht për aktorët në moshë mund të jetë vetëm lajm i mirë – sigurisht është një përmirësim krahasuar me praktikën e vjetër të Hollivudit për t’i lënë mënjanë që në fund të moshës së mesme – por aktualisht janë ende burrat ata që marrin pjesën e luanit nga këto role. Në aktrim, ashtu si në jetë, ageizmi i pamëshirshëm ka prekur gjithmonë në mënyrë disproporcionale gratë, një realitet i satirizuar mjeshtërisht në skeçin Last Fuckable Day të Amy Schumer, ku tre aktore – Julia Louis-Dreyfus, Tina Fey dhe Patricia Arquette – festojnë ditën e fundit të njërës prej tyre si “e besueshme seksualisht” në sytë e industrisë së argëtimit.
Një tjetër faktor që po i shtyn veteranët e aktrimit drejt televizionit është fakti se industria e filmit ende po ndien goditjen financiare të Covid-19 dhe të grevave të skenaristëve dhe aktorëve në vitin 2023. Buxhetet mbeten të shtrënguara dhe superhit-et janë gjithnjë e më të rralla – vitin e kaluar, Snow White, Mickey 17, Christy, After the Hunt dhe filmi me Dwayne Johnson The Smashing Machine dështuan në arkë. Ndërkohë, shikuesit kanë mundësinë të presin derisa filmat e mëdhenj të shfaqen në platformat streaming, ndonjëherë vetëm pak ditë pas premierës në kinema.
Nuk është aspak çudi, pra, që aktorët më të moshuar duan të jenë pjesë e televizionit, ku mund të shihen nga ata shikues që nuk duan të zvarriten deri te multiplekset dhe ku kanë kohë të zhvillojnë personazhe komplekse. Ndërkohë, serialet përfitojnë nga graviteti, përvoja dhe shkëlqimi i yjeve. Sot ka shumë arsye për pesimizëm në industritë krijuese, por kjo është një epokë e artë për aktorin në moshë pensioni, për të cilin lavdi të reja dhe një akt i tretë po e presin.
*Fiona Sturges është shkrimtare e arteve/ Përgatiti për botim: L.Veizi
