Debatet brenda Partisë Demokratike vijojnë të intensifikohen pas zhvillimeve të fundit në organizimin e brendshëm të forcës më të madhe opozitare në vend.
Në një reagim publik, Ilirjan Blloshmi ka ngritur akuza të forta ndaj drejtimit të partisë, duke pretenduar se përbërja e Këshillit Kombëtar të PD-së tregon një devijim nga parimet e meritokracisë dhe konkurrencës së brendshme politike.
Sipas tij, në këtë strukturë përfaqësuese janë përfshirë 32 fëmijë deputetësh dhe ish-deputetësh demokratë, çka ai e cilëson si shenjë të krijimit të një “mbretërie familjare” brenda partisë.
“Kjo situatë përbën një largim të qartë nga parimet mbi të cilat është themeluar Partia Demokratike dhe një goditje ndaj anëtarëve që kanë kontribuar ndër vite në parti”, shprehet ai.
Në të njëjtin reagim, Blloshmi ka përdorur tone të ashpra ndaj lidershipit të PD-së, duke deklaruar:
“PD-ja është kthyer si një mbretëri që trashëgohet nga babai te fëmijët. Në Këshillin Kombëtar ndodhen 32 fëmijë deputetësh dhe ish-deputetësh. Lideri i moçalit vazhdon të tallet me demokratët në mënyrë mizore”, tha ai.
Këto deklarata vijnë në një kohë tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike, ku diskutimet mbi përfaqësimin, strukturat drejtuese dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve kanë ndezur përplasje të shumta politike./a.d
