Last Updated on 02/07/2026 by Kesjana
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka rrëzuar ankesën e Google, duke lënë në fuqi gjobën rekord prej 4.1 miliardë eurosh për shkelje të rregullave të konkurrencës në lidhje me sistemin operativ Android.
Komisioni Evropian e kishte gjobitur gjigantin amerikan të teknologjisë në vitin 2018, duke e akuzuar se kishte abuzuar me pozitën dominuese në treg. Sipas Komisionit, Google u kishte kërkuar prodhuesve të telefonave që të instalonin paraprakisht motorin e kërkimit Google dhe shfletuesin Chrome, duke u dhënë atyre një avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve.
Fillimisht gjoba ishte 4.3 miliardë euro, por në vitin 2022 Gjykata e Përgjithshme e BE-së e uli atë në 4.1 miliardë euro. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Drejtësisë e bën këtë masë përfundimtare.
Në një deklaratë, gjykata theksoi se rrëzon ankesën e Google dhe kompanisë mëmë Alphabet, duke konfirmuar sanksionin për praktikat antikonkurruese që lidhen me sistemin operativ Android.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Google, Sundar Pichai, ka mbrojtur vazhdimisht Android-in, duke deklaruar se sistemi ka krijuar “më shumë zgjedhje, jo më pak” për prodhuesit e telefonave, zhvilluesit e aplikacioneve dhe konsumatorët. Sipas tij, inovacioni i shpejtë, zgjedhjet e shumta dhe ulja e çmimeve janë tregues të një konkurrence të fortë.
Kjo nuk është përballja e vetme e Google me autoritetet evropiane. Në vitin 2025, Komisioni Evropian i vendosi kompanisë edhe një gjobë tjetër prej 2.95 miliardë eurosh, duke e akuzuar për shtrembërim të konkurrencës në tregun e teknologjisë së reklamave online, në favor të shërbimeve të veta dhe në dëm të konkurrentëve, reklamuesve dhe botuesve online./kb
