Last Updated on 02/07/2026 by Kesjana
Deputeti socialist, Ardit Bido dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u përfshinë në replika të ashpra ditën e sotme në Parlament.
Ishte fillimisht Bido i cili deklaroi se Muçi dhe Lëvizja Bashkë nuk e kanë ngritur zërin kurrë për çështjen Çame, pasi sipas tij, ata janë anti-shqiptarë.
Duke folur për çështjen e Zvërnecit, Bido tha se SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe paratë e sekuestruara (128 milionë euro) nga shitja e pronës, do i kalojnë atij që do të rezultojë pronari real.
“Sot ne miratojmë Rezolutën për punën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Unë dua të qëndroj vetëm në një aspekt. Në aspektin që në debatin tonë publik u zhduk befas javët e fundit nga këta sharlatanët dhe populistët e pafre, antishqiptarët e tradhtarët që mbysin debatin tonë publik. Për Zvërnecin, për atë që me gjasme u çuan këta sharlatanë dhe që me të drejtë u çuan mijëra shqiptarë, që pastaj këta mijëra shqiptarë ikën nga sheshi dhe pastaj mbetën vetëm këta sharlatanët. E drejta e pronës së banorëve të Zvërnecit është një e drejtë legjitime.
Si deputeti i vetëm që ka folur me emra bashkë me kolegë të PS-së kur këtë populistë antishqiptarë qepnin gojën, e them sërish, banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e plotë mbi pronësinë me ligjin 7501 dhe fiset Balliu e Moçka me dokumentet që kanë. Sot ne jemi në një ditë të mirë në këtë drejtim. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes e asaj prone është e bllokuar. Dhe kush të rezultojë në fund që është pronar i asaj prone, atij do i kalojë. Sot ne shohim në protestë sesi një grup prej 60 huliganësh, të frymëzuar nga sharlatanët politikë, mirëpresin këta 60 individë me vezë në xhep, Vangjel Dulrat e Red Muçrat, që i kam ftuar të flasin për Çamërinë, çohen dhe thonë një asgjë të madhe dhe vetëm për plagën tonë kombëtare nuk flasin dot. Antishqiptarët nuk kanë bri. Vorioepirotizmi nuk ka pri, por kanë fytyrë, kanë fytyrë brejtësi. Ka njerëz që nuk kanë din e iman dhe e vetmja gjë që dinë është si t’i bëjnë dëm vendit tonë”, tha Bido.
Nga ana tjetër, deputeti Muçi iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk kishte aspak kompleks që të denonconte nga salla e Kuvendit, gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilët i quajti ‘populli Çam’.
Muçi tha gjithashtu se ishte i vetmi deputet në Kuvendin e Shqipërisë që kishte denoncuar gjenocidin izraelit në Gaza.
“Mesa duket zoti Bido nuk më ndjek në rrjetet sociale. Lëvizja Bashkë ku unë bëj pjesë krenarisht, është e vetmja forcë politike që në programin e vet politik përmend në mënyrë specifike popullin Çam dhe të drejtën e tij për t’u njohur nga shteti grek. Këtë gjë nuk e bën as qafa ku është kacavjerr zoti Bido. Unë jam i vetmi nga Parlamenti që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit palestinez, sepse për ne në Lëvizjen Bashkë, padrejtësia ndaj një populli, është padrejtësia që i bëhet çdo populli. Prandaj s’kam asnjë kompleks që nga kjo sallë të denoncoj gjenocidin ndaj popullit çam nga shteti grek. Eksodin e imponuar nga populli grek ndaj popullit Çam. Nacionalizmi është skuta e fundit e maskarenjve”, tha mes të tjerash Muçi.
Por Bido rimori fjalën dhe akuzoi Muçin për përçarje Kombëtare, pas termit ‘populli Çam’ të përdorur prej tij. Më pas Muçi i kërkoi Bidos që të mos krahasoi shqiptarët e Çamërisë me Palestinën.
“Populli Çam thuaja ndonjë tjetri. Përçarje brenda Kombit tonë bëje jashtë këtij Kuvendi. Sepse je i pacipë dhe i paturp. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Sa jemi ne, PS, një forcë që juve do iu mbysë, ju nuk bëni dot përçarje”, tha Bido./kb
