Last Updated on 25/03/2026 by Anisa
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, duke theksuar se institucioni po luan një rol kyç në forcimin e shtetit të së drejtës.
Gjatë deklaratave të saj, Kos u shpreh se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
“Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe jemi në procesin kur po ecet drejt standardeve të sundimit të ligjit, dhe situata duket mirë,” tha ajo.
Duke folur për rolin e SPAK, Komisionerja nënvizoi rëndësinë e hetimit të rasteve të korrupsionit, edhe kur ato përfshijnë nivele të larta.
“SPAK-u, agjencia e antikorrupsionit në Shqipëri, po bën një punë të shkëlqyer, dhe është në një farë mënyre normale që ata të zbulojnë raste të tilla,” u shpreh Kos.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian po monitoron nga afër zhvillimet, përfshirë edhe rastet konkrete të përmendura në diskursin publik.
“E rëndësishme është të shihet që nëse këto çështje ekzistojnë, cilat janë reagimet, dhe këtë ne gjithashtu po e monitorojmë,” shtoi ajo.
Në vijim, Komisionerja vuri theksin tek sfida më e gjerë e luftës kundër korrupsionit në vendet kandidate, duke e lidhur atë me ndryshimin e mendësisë shoqërore. “Mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë ju keni një problem tjetër,” deklaroi ajo.
Sipas Kos, procesi i integrimit kërkon jo vetëm reforma ligjore, por edhe transformim kulturor dhe institucional.
“Të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë,” theksoi Komisionerja.
Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të politikës dhe administratës, mbetet një nga kushtet kryesore për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është kthyer në një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri, duke ndërtuar një reputacion të fortë për hetimin e figurave të profilit të lartë, të cilat më parë konsideroheshin të paprekshme. Hetimet e saj kanë përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
SPAK u krijua si pjesë e reformës së thellë në drejtësi të nisur në vitin 2016, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo reformë synonte forcimin e sundimit të ligjit dhe ishte një hap kyç në përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Deri vonë, qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrimin se nuk ndërhyn në proceset e drejtësisë, duke refuzuar të komentojë rastet konkrete të zyrtarëve të përfshirë në hetime apo gjykime, dhe duke theksuar se përgjegjësia për shkeljet e ligjit është individuale.
Korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe perceptohet si një fenomen i përhapur gjerësisht në vend. Raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Transparency International, e identifikojnë atë si një pengesë serioze për progresin demokratik dhe institucional.
Sipas raportit vjetor të SPAK për vitin 2025, është shënuar një rritje e ndjeshme e hetimeve krahasuar me një vit më parë. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të vënë nën hetim, 18 çështje janë dërguar në gjykatë, ndërsa 10 prej tyre kanë përfunduar me vendime përfundimtare.
Ndër rastet më të rëndësishme të trajtuara nga SPAK përfshihen:
- Sali Berisha, ish-kryeministër dhe kreu i Partisë Demokratike – akuzat u publikuan në tetor 2023, aktualisht në gjykim.
- Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë – u arrestua në korrik 2024, në gjykim.
- Ilir Meta, ish-kryeministër dhe ish-president, kreu i Partisë së Lirisë – u arrestua në tetor 2024, në gjykim.
- Monika Kryemadhi, ish-drejtuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim – akuzat u publikuan në tetor 2024, në gjykim.
- Jurgis Çyrbja, deputet i Partisë Socialiste – u arrestua në tetor 2024 dhe u dënua me dy vjet burg në mars 2025.
- Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës dhe ish-ministër – u arrestua në shkurt 2025, aktualisht në gjykim.
- Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministre – u akuzua në tetor 2025, hetimet vijojnë.
Këto zhvillime tregojnë një intensifikim të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të politikës dhe administratës publike, duke e bërë SPAK një nga institucionet kyçe në procesin e reformimit të drejtësisë dhe afrimit të Shqipërisë me standardet evropiane./fjala.al-A.D
