Last Updated on 22/04/2026 by Anisa
Grida Duma, e ftuar në emisionin Breaking nga Dafina Hysa, komentoi situatën mes Sali Berishës dhe Edi Ramës lidhur me dosjen “Partizani”, ku kryeministri është thirrur për të dëshmuar nga mbrojtja e kreut të PD.
Sipas Dumës, çështja është thjesht procedurale dhe nuk lidhet me politikën, megjithëse ajo vëren se dy liderët nuk i japin njëri-tjetrit mundësinë për përballje.
“Nuk e di nëse Rama ka mundësi procedurale të mos ja japë Berishës këtë dhe të paraqesë avokatët. Pa diskutim që nuk ka asnjë lloj kompleksi që Rama apo Berisha të vendosen pranë apo përballë njëri-tjetrit. Çështja është që e kanë çuar deri aty situatën që nuk ja japin këtë shans njëri tjetrit. Nga ana tjetër mendoj që kjo është procedurale, për mua s’ka lidhje më politikën. Mendoj që është dosje që do të ishte mbyllur me kohë si gjykim. Deklarata e Berishës për përballje ndoshta i jep atë ngjyrimin politik disi, por e thënë prej kohësh, e kërkuar prej kohësh dhe e mos ndodhur prej kohësh, sërish mendoj se është më shumë çështje titujsh. Rama dhe Berisha nuk e kanë betejën për Dosjen Partizani, e kanë për dosjen e shqiptarëve dhe ne nuk kemi absolutisht paqartësinë që të shkrihemi nëse këta na vendosin dy gladiatorë poshtë për show apo zbresin dhe vetë poshtë dhe bëjnë sikur dyluftojnë. Nuk është kjo lufta që presin shqiptarët”, u shpreh Grida Duma.
Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Duma theksoi se Rama dhe Berisha ndodhen në të njëjtën trajektore, duke synuar të njëjtin rezultat.
“Ne duhet të kuptojmë çfarë prodhon qasja e pozitës dhe opozitës. Ne duhet të kuptojmë çfarë bëjnë për shqiptarët. Ajo që ne duhet te ndjekim ne. Para zgjedhjeve, Berisha ka propozuar 100 deputetë, pas zgjedhjeve, Rama thotë të shkojmë në 101. Teoria e lojës për të shkuar me shumë mënyra në një rezultat të njëjtë. Ndryshojnë variablin dhe thënë këtë ajo që na habit në këto momente është që të dyja palët duan njëjtën gjë uljen e numrit të deputetëve. Shqetësimi i Ramës në mandatin e katërt nuk duhet të jetë tjetër, por të ketë lidhje me realitetin, jo ulja e numrit të deputetëve, që të shtojë drejtorët. Shqetësimi i Berishës nuk duhet të ishin numrat, por mënyra se si zgjidhen këto deputetë. Dy liderët kërkojnë zvogëlimin e atyre të terreneve. Janë dy ndryshime që lidhen me mënyrën se si ulet terreni politik. Subjektet e reja varen nga mediat dhe frymëzimin e publikut nëpërmjet komunikimit”, tha Duma.
Sa i takon rolit të ndërkombëtarëve, ajo u shpreh se ndikimi i tyre është në rënie.
“OSBE-ODIHR nuk ndryshon gjë në ekzekutiv dhe legjislativ. Ambasada SHBA dhe ambasada e Britanisë së Madhe kanë pas rol në marrëdhënien PS-PD. Sot ka një rënie të interesit për Ballkanin. Për sa i përket momentit, SHBA e ka vëmendjen te lufta në Iran dhe nuk e ka vëmendjen për të ndërhyrë në Shqipëri. Ne duhet të ikim nga iluzionet që do vijnë ata dhe do të krijojnë zgjidhje. Zgjidhja dhe pengesa është brenda partive tona. Në këtë kuptim, ndërkombëtarët janë një faktor minor”.
Duma bëri edhe një parashikim për konfigurimin politik në vitin 2029, duke theksuar se situata aktuale favorizon mazhorancën.
“Ajo që parashikoj unë është se me këtë mpirje që i ka bërë Rama dhe Berisha vendit shumica ka tendencën të shkojnë te PS dhe vetë Rama thonë se ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Ndërkohë, PD thotë se ne nuk fitojmë se nuk ka zgjedhje me Ramën. Aksioma e tyre është se ne futemi në zgjedhje, por zgjedhje nuk ka. Shqetësimi do të ishte platformë ndërkombëtare e PD. Nëse opozita shpreson se të ikurit janë të pakënaqur, duhet të zgjidhë ngërçin e votave, si realizohet votimi elektronik në kohë rekord, etj”.
Në fund, ajo ngriti pikëpyetje mbi të ardhmen e opozitës dhe vetë Partisë Demokratike.
“Unë e kam pyetur Berishën që PD a do ketë të njëjtën moshë biologjike, siç është lideri i opozitës. Nuk mund ti them Berishës si ta bëjë partinë, nuk mund t’ia japim këtë leksion. Ka një problem tjetër në të gjithë kampin opozitar, ka një mungesë dakordësie mes partive të vogla opozitare. Nuk kam dyshim që në PD ka njerëz me vlera dhe kontribute që mund të bëjnë më shumë, ashtu si në PS, ku Rama nuk ka nevojë për deputetët e vet sepse e bën çdo gjë vetë. Dy liderët e forcave kryesore politike e kanë mbyllur lojën vet”, përfundoi Duma.
