Një ekspozitë e jashtëzakonshme me 200 veshje të Mbretëreshës Elisabeth II hapet më 10 prill në Buckingham Palace, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së sovranes britanike.
Një koleksion i jashtëzakonshëm, me veshjet e saj ndër vite, duke nisur edhe nga një fustan i saj që e veshi në moshën 8 vjeçare, me rastin e celebrimit të martesës së xhaxhait të saj, Dukës së Kent.
Koleksioni është i pasur me ngjyra të shumta, emblemë e dallueshme e personalitetit të saj që në rininë e hershme, por jo vetëm; komunikonin mesazhe diplomatike, solidariteti, simbolika. Ngjyrat zgjidheshin në bazë të mesazheve që duhej të transmetonin, me një përdorim strategjik të së gjelbrës për të shprehur mbështetje. Ndërsa ngjyra e zezë u vesh nga Mbretëresha Elisabeth vetëm në 2 raste gjatë gjithë jetës së saj, në solemnitet të fortë, në rastin e ceremonisë mortore në përcjellje të princeshës Diana dhe të Princit të Edinburgh, Philip, bashkëshorti i saj.
Stili i saj, i njohur si British Style, ka influencuar gjenerata stilistësh dhe e ktheu look-un e saj ndër më të njohurit dhe të studiuarit të botës për dekada të tëra.
Në këtë ekspozitë nuk mungojnë fustanet përrallore të ballove apo rasteve të tjera të mëdha mbretërore, me ndikim botëror, të pasur me detaje të jashtëzakonshme, të denja të një mbretëreshe unike. Edhe fustani i saj i nusërisë, i realizuar në vitin 1947 nga Norman Hartnell, ishte një triumf mendafshi, me 10 mijë perla e kristale të qëndisura, simbol i rilindjes pas Luftës së II Botërore./kb
