Last Updated on 09/12/2025 by Kesjana
Përmbajtja e lajmit:
Studiuesi dhe historiani Ernesto Montoya ka deklaruar se data 25 dhjetor, e festuar globalisht si dita e lindjes së Jezus Krishtit, nuk përkon me ditëlindjen e vërtetë të Jezusit, por është një datë e zgjedhur nga Kisha për arsye simbolike dhe praktike.
Sipas Montoya-s, burimet biblike dhe historike nuk ofrojnë asnjë provë që Jezusi ka lindur më 25 dhjetor. Ai thekson se asnjë nga ungjijtë nuk përmend një datë të saktë, dhe përshkrimet e asaj kohe – si prania e barinjve në fusha gjatë natës – sugjerojnë se ngjarja ka ndodhur më shumë gjatë pranverës sesa në dimër.
Historiani shpjegon se Kisha e hershme e vendosi festën e Krishtlindjes në 25 dhjetor për të zëvendësuar festimet pagane të solsticit dimëror, veçanërisht ato romake si “Dies Natalis Solis Invicti”, dita e lindjes së Diellit të Pamposhtur.
Sipas tij, kjo strategji kishte për qëllim të lehtësonte konvertimin e popullsive pagane në krishterim, duke ruajtur një datë tashmë të rëndësishme në kulturën e kohës.
Montoya argumenton se sot është e rëndësishme të kuptohet se 25 dhjetori është një datë teologjike dhe simbolike, jo historike. Ai shton se kjo nuk ul vlerën shpirtërore të festës, por ndihmon të kuptohet më saktë origjina e saj.
Historianë të tjerë gjithashtu mbështesin këtë teori, duke theksuar se që prej shekujve të parë, shumë studiues të krishterë kanë dyshuar se Krishtlindja nuk lidhet me një datë reale të lindjes së Jezusit, por me një vendim të qëllimshëm të Kishës për të vendosur një festë të unifikuar./kb
