Last Updated on 16/10/2026 by Anisa
Ish-deputeti socialist Denis Deliu ka komentuar protestat që prej tri ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke paralajmëruar se, në rast të përkeqësimit të situatës, mund të ngrihet çështja e aktivizimit të nenit 4 të Traktatit të NATO-s.
I ftuar në emisionin Now në Euronews Albania, Deliu u ndal te zhvillimet e fundit dhe tensionet e regjistruara gjatë protestave, duke theksuar nevojën për përfshirjen e mediave dhe universiteteve për të ndihmuar në orientimin e studentëve dhe dallimin e protestuesve paqësorë nga personat e përfshirë në akte dhune.
Gjatë diskutimit, ish-deputeti socialist përmendi edhe mundësinë e ngritjes së çështjes së nenit 4 të Traktatit të NATO-s, nëse situata në Shqipëri do të përkeqësohej më tej.
“Këtu kërkohet edhe një lloj sensibilizimi; media universitetet, auditoret duhet të ndërhyjnë se studentët kanë organizim dhe duhet ndarë pjesa e mirë nga pjesa e keqe. Nga monitorimi i protestave në Francë kemi pasur disa manuale të përdorura sepse vendet e NATO-s nuk mund të shkojnë në kriza, dhe ne jemi vend anëtar i NATO dhe nëse situata mund të precipitojë më keq në nenin 4 të saj NATO ndërhyn me komitetin ushtarak dhe politik”, tha Deliu.
Deklarata e tij vjen në një moment kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtime të institucioneve dhe pronës publike e private, si dhe dhjetëra persona të lënduar.
Megjithatë, neni 4 i Traktatit të NATO-s nuk parashikon automatikisht ndërhyrje ushtarake. Ai u mundëson vendeve anëtare të kërkojnë konsultime me aleatët kur, sipas vlerësimit të tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një prej anëtarëve. Çdo konsultim i tillë është një proces politik mes aleatëve dhe nuk nënkupton vetvetiu angazhimin e forcave ushtarake të Aleancës./ad
