Shivon Zilis, ish-anëtare e bordit dhe drejtoreshë në OpenAI, ka bërë deklarata që kanë tërhequr vëmendje të madhe gjatë dëshmisë së saj në një gjykatë federale në Kaliforni, ku po zhvillohet procesi ligjor mes Elon Musk dhe OpenAI.
Gjatë dëshmisë, Zilis foli jo vetëm për raportin profesional me miliarderin, por edhe për mënyrën se si lidhja e tyre personale çoi në ardhjen në jetë të katër fëmijëve.
Ajo tregoi se në vitin 2020, ndërsa dëshironte të bëhej nënë, Musk i kishte propozuar të bëhej babai i fëmijëve të saj përmes dhurimit të spermës.
“Doja shumë të kisha fëmijë dhe ai më bëri atë ofertë në atë periudhë. E pranova,” deklaroi Zilis para gjykatës.
Sipas saj, Musk në atë kohë inkurajonte shpesh njerëzit pranë tij që të krijonin familje dhe kishte vënë re se ajo nuk kishte ende fëmijë.
Shivon Zilis ka një karrierë të gjatë në industrinë teknologjike dhe ka mbajtur role të rëndësishme në Tesla, Neuralink dhe OpenAI. Ajo u lidh profesionalisht me Musk që në vitet e para të OpenAI, ku më vonë mori edhe poste drejtuese.
Në dëshmi, ajo sqaroi se mes tyre kishte pasur një marrëdhënie romantike vite më parë, por jo në periudhën kur vendosën të kishin fëmijë së bashku.
Zilis tregoi gjithashtu se fillimisht të dy kishin vendosur që identiteti i babait të fëmijëve të mbahej privat dhe konfidencial. Megjithatë, sot Musk është aktiv në jetën e katër fëmijëve që kanë së bashku dhe kalon kohë rregullisht me ta.
Deklaratat e saj u dhanë në kuadër të procesit gjyqësor që lidhet me transformimin e OpenAI në një kompani fitimprurëse, çështje për të cilën Musk po zhvillon betejë ligjore me drejtuesit aktualë të kompanisë./mxh
