Last Updated on 18/09/2025 by adminfjala
Ish-drejtoresha e Tatimeve Brisida Shehaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka analizuar seancën e sotme plenare që ishte parashikuar të zgjashte 25 orë, por pas tensioneve përfundoi në më pak se 1 orë pasi mazhoranca kaloi për votim pa debat dhe miratoi qeverinë e re dhe programin qeverisës.
Shehaj u bën thirrje deputetëve të opozitës që të flasin në Kuvend pasi problemi i shqiptarëve nuk është Diella por problemet sociale dhe krimi.
Ish-zyrtarja shprehet se qyetarët nuk kanë nevojë për zhurmë dhe nëse vijojnë kështu do ta rrënojnë vendin edhe më keq. Shehaj deklaron se kjo nuk është rruga e duhur.
“Thirrje publike për Kryetarin e Opozitës dhe deputetët opozitarë
Parlamenti i Shqipërisë nisi me pamje të bllokimit të foltores nga opozita dhe përfundoi me mbylljen e seancës mes zhurmës e britmave.
Si qytetar dhe votues, unë nuk kam nevojë për zhurmë, por për informim. Parlamenti është platforma e vetme ku çdo zë opozitar mund dhe duhet të dëgjohet.
Të nderuar deputetë të opozitës, veçanërisht ju të rinjtë që sapo keni hyrë në sallë:
Problemi i shqiptarëve nuk është “Diella”, sepse Diella janë të gjithë aty. Problemi ynë i përbashkët është shpopullimi, krimi, shëndetësia e rrënuar dhe narko-qeverisja.
Prandaj, qëndroni aty! Flisni me shqiptarët, thoni të vërtetat me qetësi, pa aktrim, pa ulërima. Ju siguroj: asnjë nga ju nuk mund të mposhtë aktrimin e kësaj qeverie nëse ndiqni të njëjtën rrugë. Forca juaj është fjala e arsyes dhe argumentit, jo zhurma.
Shqiptarët kanë nevojë të hapin sytë, sidomos ata që varfëria dhe mungesa e “bukës së gojës” i ka verbuar apo u ka humbur dinjitetin.
Ju duhet të jeni aty, në Parlament dhe kudo tjetër, për të bashkëbiseduar me qytetarët, jo për t’i fyer, jo për t’i quajtur skllevër, por për t’iu thënë:
“Jemi me ju, hap pas hapi, derisa të kuptoni fuqinë tuaj dhe forcën e votës suaj.”
Sepse vota nuk është parti, nuk është bindje e verbër – por është forca e individit për të zgjedhur të ardhmen e vet.
Kjo bëhet vetëm kur ju kuptoni se rruga e ndjekur deri më tani nuk është rruga e duhur.
Nëse vazhdoni kështu, do ta groposni edhe më shumë këtë vend. Dhe atëherë, qytetarët e lodhur nuk do të votojnë për lirinë dhe mirëqenien e tyre, por për fjalimet që u ngushëllojnë shpirtin e helmuar nga varfëria dhe lodhja”, shprehet Shehaj në postimin e saj./e.t

