Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Frika e prindërve po rrit gjithnjë e më shumë fëmijë të pavaksinuar, të cilët po infektohen nga kjo sëmundje virale shumë ngjitëse.
Edhe pse në vendin tonë rastet janë sporadike nga fruthi Instituti i Shëndetit Publik ka apeluar për vëmendje të prindërve ndaj vaksinimit të fëmijëve të tyre, duke u kujtuar që kjo sëmundje është vdekjeprurëse dhe shumë ngjitëse.
“Çdo fëmijë që mund të infektohet me fruth që nuk është i vaksinuar pasojat e tij janë shumë serioze dhe mund të çoj deri në vdekje. Në vitin 2018 që kemi pasur një shpërthim të fruthit 3 fëmijë 1 vjeç kanë ndërruar jetë sepse ishin të pa vaksinuar. Doza e pare aplikohet 12-15 muaj dhe doza e dytë aplikohet 5 vjeç. Vaksinimi siguron një mbrojtje 99 % të të gjithë fëmijëve që janë të vaksinuar me 2 doza dhe nuk ka risk nëse fëmija është i vaksinuar. Vaksina nuk shkakton autizëm, shumica e prindërve vaksinojnë fëmijët sapo bëjnë një vjeç pjesa tjetër bëjnë një shtyrje edhe kur bëjnë 2 vjeç”, u shpreh Rovena Daja, Përgjegjëse e programit kombëtar të vaksinimit , ISHP.
Fruthi, i cili zakonisht shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe skuqjen karakteristike të lëkurës, mund të çojë në komplikacione shumë serioze dhe madje fatale, nëse përhapet në mushkëri, ose në tru. Edhe pse shumë njerëz shërohen, fruthi është shumë ngjitës dhe përhapet lehtësisht tek personat, që nuk janë plotësisht të vaksinuar kundër tij.
Drejtuesja e programit kombëtar të vaksinimit ka bërë me dije se për shkak të skepticizmit të shtuar në radhët e prindërve ndaj vaksinës së fruthit , rubeolës dhe shytave mbulesa vaksinale më një dozë ka rënë në 83% në rang kombëtar ndërsa me dy doza në 92 %.
Simptoma të ngjashme me të ftohtin, përfshirë temperaturë, kollë dhe hundë që rrjedh ose e bllokuar janë shpesh shenjat e para. Disa ditë më vonë, disa persona zhvillojnë njolla të vogla të bardha brenda gojës, përpara se të shfaqet skuqja karakteristike.
Fruthi është një sëmundje e rëndë për çdo fëmijë, por për disa mund të çojë në komplikacione afatgjata dhe, tragjikisht, në vdekje. Megjithatë, ai parandalohet lehtësisht me dy doza të vaksinës MMRV.
Ky virus kërcënues për jetën nuk prek vetëm fëmijët – foshnjat, gratë shtatzëna dhe personat me sistem imunitar të dobësuar janë gjithashtu në rrezik.
Autoritetet shëndetësore tani po u bëjnë thirrje prindërve të sigurohen që fëmijët e tyre të mos kenë humbur asnjë dozë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se të paktën 95 për qind e popullsisë duhet të vaksinohet për të parandaluar shpërthimet.//fjala.al-AD
