Last Updated on 08/07/2025 by adminfjala
Ervin Salianji ka mbajtur sot një konferencë për media në selinë blu pas daljes së tij nga qelia.
I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur një komunikim mes tij dhe liderit demokrat, Sali Berisha, gjatë kthimit nga Fieri për në Tiranë, Salianji është përgjigjur pozitivisht duke u shprehur se ka komunikuar me pothuajse të gjithë drejtuesit e partisë apo dhe deputetët.
“Kam pasur mijëra mesazhe. Kam pasur kontakt me Berishën dhe me drejtuesit e lartë. Me të gjithë kolegët kam pasur komunikime. Është dhe momenti për të falënderuar çdo koleg, Berishën pa diskutim, Metën, drejtuesit e lartë të partisë dhe partive të tjera. Çdo qytetar, individ e institucion përtej atyre politike, ndihet i rrezikuar nëse një ditë zgjohet me gjumë të prishur kryeministri, mund të ndodhë që të përfundojë në qelinë e burgut.”
E ndërsa pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit PD pritet të shkojë në një reformim të strukturave të partisë, Salianji tregon se nuk aspiron për një pozicion, por tregon se do të bëjë gjithmonë opozitë pranë demokratëve.
Ndërkohë ai u pyet nga gazetarët dhe lidhur me prezencën e numri më të paktët të deputetëve demokratë përpara burgut të Fierit sesa në kohën kur ai u dënua, demokrati u shpreh se nuk ka pasur një lajmërim për deputetët përveç medias dhe se këtë fakt nuk e shikon aspak si përçarje politike.
“Cdo funksionar i PD ka detyrimin dhe të gjejë zgjidhjen sesi largohet regjimi. Për mua nuk ka rëndësi pozicioni, por ka rëndësi vokacioni. Fatmirësisht apo ndryshe në partitë opozitare funksionin ta japin qytetarët me besimin e tyre. Nuk kam asnjë shqetësim për pozicionin, do të jem në betejë opozitare sa kam mundësi, propozime e denoncime sa kam mundësi.
Nuk ka pasur një njoftim për deputetët për daljen time nga qelia. Deputetët e qarkut të Fierit kanë qenë aty. Nuk shoh një ndarje në PD për këtë çështje, por shoh një dakortësi në të gjithë klasën politike”, tha Salianji. m.p.