Last Updated on 17/09/2025 by adminfjala
Mbledhja e këshilltarëve socialistë në selinë rozë në Tiranë është shoqëruar me debate të forta, pasi mes bashkëpunëtorëve të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, ka pasur nga ata që kanë hezituar të firmosin tekstin e kërkesës për shkarkimin e tij.
Këshilltarët janë thirrur nga kryetarja Megi Fino në ambientet e selisë së Partisë Socialiste, për t’u dakordësuar rreth veprimeve që do të ndërmarrin javën e ardhshme, më 23 Shtator, ku pritet që Këshilli Bashkiak të deklarojë zyrtarisht kërkesën për shkarkimin e Erion Veliaj.
Mirëpo, burime mediatike nga selia rozë, bëjnë me dije se këshilltari Aldo Mërkoçi ka bërë rezistencë për të firmosur tekstin e shkarkimit.
Ai rezulton se ka qenë kreu i lëvzjes “MJAFT”, ku dikur ka aderuar dhe drejtuar dhe Erion Veliaj. Po ashtu, Aldo Mërkoçi është dhe këshilltar i Arbjan Mazniku, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe krahu i djathtë i Erion Veliaj.
Këshilltari socialist ka kërkuar që në deklaratë të shënohet se Erion Veliaj i ka shërbyer qytetit dhe ka punuar për banorët e Tiranës. Pas hezitimit për të firmosur, kërkesa e tij është marrë parasysh dhe Aldo Mërkoçi është bindur të firmosë tekstin e shkarkimit.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino pasi ka marrë dakordësinë e të gjithë këshilltarëve socialistë, ka vendosur që Këshilli Bashkiak të mblidhet ditën e martë, 23 shtator, në orën 16:00, për të votuar për shkarkimin e Erion Veliaj.
Sapo Këshilli Bashkiak të japë dritën jeshile për shkarkim, firmën e fundit e jep kryeministri Edi Rama. m.p.
