Veshjet më të thjeshta janë shpesh ato që përdoren më shumë, por edhe ato që mund të zgjidhen gabim. Kur një veshje nuk ka detaje pas të cilave mund të fshihet, prerja, materiali dhe përmasat e saj bëhen edhe më të rëndësishme. Pikërisht për këtë arsye, veshjet bazë të gardërobës duhen zgjedhur me kujdes.
Një bluzë e bardhë e përsosur, një palë pantallona me prerje të rehatshme ose një triko që në pamje duket tepër e thjeshtë mund të mos tërheqin vëmendjen më vete, por këto janë pjesët që i bëjnë të gjitha veshjet e tjera të duken më mirë. Veshjet bazë janë themeli i gardërobës: kur baza është e mirë, veshja e përditshme bëhet shumë më e thjeshtë.
Bluza e bardhë, xhinset e mira dhe pantallonat me prerje të përsosur janë ndër ato pjesë që përdoren vazhdimisht pikërisht sepse nuk duken kurrë të tepërta. Një bluzë e bardhë e pastër mund të balancojë një fund të zbukuruar ose të vishet lehtësisht poshtë një xhakete me dy radhë kopsash. Xhinset i japin një pamjeje më elegante një ndjesi të çlirët, ndërsa pantallonat e prera mirë sjellin menjëherë më shumë hijeshi, pa e bërë veshjen tepër zyrtare.
Sekreti i këtyre pjesëve qëndron te neutraliteti i tyre. Ato funksionojnë si një bazë e pastër mbi të cilën mund të shtohen shtresa, tekstura dhe elemente të tjera, pa e komplikuar pamjen.
Bluza e bardhë


Edhe pse është një nga veshjet më të thjeshta dhe tregu ofron pafund modele, gjetja e bluzës së bardhë perfekte nuk është aspak e lehtë.


Një bluzë e mirë e bardhë duhet të jetë e gjithanshme, e rehatshme, e lehtë për t’u larë dhe praktike për t’u veshur nën pjesë të tjera. Idealisht, duhet të jetë nga ato veshje që mund të përdoren për vite me radhë, në stinë dhe periudha të ndryshme.
Kanotierja e bardhë


Kanotieret më të mira të bardha e fitojnë vendin e tyre në garderobë sepse mund të përshtaten me pothuajse çdo stil. Mund të vishen poshtë një xhakete të strukturuar, të futen brenda një palë xhinsesh ose të kombinohen më vete me një fund të gjatë.


Një kanotiere e bardhë e prerë mirë mund të jetë po aq elegante në një veshje të kuruar sa edhe në një kombinim të thjeshtë të përditshëm.
Trikot


Një triko e punuar mirë ka një cilësi të veçantë: bëhet më e bukur me kalimin e kohës. Një triko e mirë nuk është një veshje që blihet vetëm për një sezon, por një pjesë që mund të qëndrojë në garderobë për vite.


Prandaj, kur zgjidhet një triko, rëndësi kanë materiali, prerja dhe cilësia. Nga modelet luksoze deri tek alternativat më të përballueshme, një triko e mirë është një investim që mund të përdoret vazhdimisht.
Xhinset blu dhe pantallonat e zeza


Xhinset me pamje të përdorur dhe pantallonat me prerje të rregullt ndodhen në dy skaje të ndryshme të stilit, por kanë të njëjtën aftësi: mund të shërbejnë si bazë për pothuajse çdo veshje që vendoset sipër tyre.


Xhinset sjellin një ndjesi të natyrshme dhe të çlirët, ndërsa pantallonat me prerje të mprehtë janë themeli i një gardërobe që duhet të funksionojë si në jetën e përditshme, ashtu edhe në orarin e punës.
Këmisha me kopsa


Këmishat e punuara mirë me kopsa janë një tjetër bazë që mund të përdoret në pafund mënyra. Modelet prej pambuku mund të vishen lirshëm mbi bel, me një fund të gjatë, ose të futen me kujdes brenda pantallonave dhe të shoqërohen me një rrip.


Është një nga ato pjesë që mund të ndryshojë krejtësisht pamjen në varësi të mënyrës së kombinimit.
Kompleti sportiv


Kompleti sportiv mund të mos duket si një domosdoshmëri për çdo gardërobë, por për një nënë që punon është një nga veshjet më praktike.


Është ideal për mëngjeset e ngarkuara, për të çuar fëmijët në kopsht ose shkollë, për takimet e paradites dhe për shëtitjet me karrocë në qytet. Dy komplete të rehatshme mund të bëhen zgjidhja kryesore për ditët kur kërkohet rehati, por pa hequr dorë nga një pamje e kuruar.
Një palë mokasina ose këpucë të sheshta elegante krijojnë një kontrast të bukur me karakterin sportiv të kompletit dhe e bëjnë veshjen të duket më e menduar.
Xhaketa e zezë


Xhaketa e zezë është një nga zgjidhjet më të sigurta të gardërobës. Ajo mund t’i japë më shumë autoritet një palë xhinsesh, të zbusë pamjen e një fustani të hollë ose t’i shtojë elegancë një veshjeje të thjeshtë të përditshme.


Modelet më të mira nuk kanë nevojë për prerje të pazakonta apo detaje të modës së momentit. Ato mbështeten te përmasat e duhura, prerja e mirë dhe mënyra si qëndrojnë mbi trup.
Atletet e përditshme


Një palë atlete për përdorim të përditshëm duhet të përshtaten natyrshëm me pjesën tjetër të garderobës, por njëkohësisht t’i japin veshjes një identitet të caktuar.


Për dikë që jeton në një qytet ku ecja është pjesë e pandashme e përditshmërisë, rehatia është kriteri kryesor, ndërsa pamja vjen menjëherë pas saj. Zgjedhja ideale është një palë që mund të përdoret gjatë gjithë ditës, pa sakrifikuar stilin.
Çanta e madhe


Çanta e madhe ka kaluar nga një aksesor thjesht praktik në një pjesë të rëndësishme të veshjes së përditshme.


Modelet prej pëlhure, të mëdha dhe të thjeshta, kanë një pamje tërheqëse pikërisht sepse nuk përpiqen shumë. Ndërsa modelet më minimaliste dhe të strukturuara mund të funksionojnë po aq mirë gjatë orarit të punës, sa edhe për një darkë pas tij./k.m
