Gazetari dhe analisti, Mentor Kikia i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit politike dhe dokumentin e ri të kryeministrit Edi Rama, të quajtur “Besa”.
Sipas Kikisë, “reflektimi” i Ramës nuk vjen nga shqetësimi për qytetarët ose ekonominë, por sepse protestat e fundit i shkaktuan disa humbje politike
Kikia argumenton se nisma “Besa” nuk është një strategji zhvillimi ekonomik apo forcim i institucioneve, por një “Kushtetutë e patronazhistëve”.
“Protesta e detyroi Ramën të reflektojë dhe Rama po reflekton në mënyrë absolute pas protestës, por nuk po reflekton as për flaming, as për qytetarët, as për ekonominë. Po reflekton për vete, po reflekton për partinë.
Sepse Rama është politikani më me këmbë në tokë në Shqipëri, kontrollon gjithçka, di gjithçka, mat gjithçka. Dhe protesta e Ramës i shkaktoi disa humbje. Tani po e rendis disa. Humbi Berishën. Humbi Berishën si Gogol të cilin e përdorte për të trembur votuesit gri që të thoshin “Po ika unë, erdhi ky”.
Protesta ja hoqi ekskluzivitetin Partisë Demokratike si partia e vetme që organizonte mitingje, protesta e tjerë e tjerë. I hoqi licencën e opozitarizmit, sepse protesta në vetvete motivoi një opozitarizëm qytetar që rezultoi të ishte shumë herë më i madh se sa opozitarizmi politik. Dhe Berisha nuk është më gogoli me të cilin Rama mund t’i trembi zgjedhësit e të thotë ‘Ej, është ky, po ika unë’”, tha ai.
“Besa nuk është një strategji e re politike në raport me zhvillimin ekonomik, për të bërë gati Shqipërinë e 2030-s, për të forcuar shtetin dhe institucionet, për të krijuar një mjedis të ri social, për të motivuar të rinjtë të martohen, të bëjnë fëmijë, apo të rinj të tjerë të kthehen në Shqipëri. Besa është Kushtetuta e Patronazhistëve.
Rama e sqaroi qartë shumë sot dhe unë befas u ndjeva i drithëruar nga saktësia me të cilën Rama e qartësoi. Është i sinqertë. Por është e frikshme në raport me shtetin. Sepse gjithçka që Rama tha sot ishte: Partia do zgjidhë hallet e qytetarëve, partia do bisedojë me njerëzit, partia do mbajë shënim, partia do i takojë qytetarët, partia do merret me këtë, partia, partia mbi gjithçka. Partia mbi bashkinë, partia mbi shtetin, mbi pushtetin, mbi institucionet”, shtoi ai./ad
