Last Updated on 04/06/2026 by Anisa
Kreu i PD Sali Berisha ka folur për protestën që po mbahet prej 4 ditësh para Kryeministrisë.
Berisha tha për mediat, jashtë Kuvendit, se opozita mbështet çdo protestë qytetare, por nuk do të marrin autorësinë e askujt.
“Për çdo protestë! Për çdo protestë, pikë! Mos e diskuto. Por nuk jemi ata ne që të marrim protestën e tjetrit. Atë s’e bëjmë kurrë! Ka një moral. Ka një moral, apo jo? Edhe ne në çdo rast, ti nuk na ke parë ndonjëherë të dalim, absolutisht mbështesim çdo protestë të çdo qytetari, por ne autorësi nuk i marrim kujt. Se kjo është amorale. Kjo është amorale. Po e ndjekim, në qoftë se ky shkon e i bën anti-miting në Vlorë, ai do përballet me ne atje. Se kjo është vija e kuqe. Kalon çdo vijë pastaj aty”, tha Berisha.
I pyetur për takimin që Rama do të zhvillojë në Vlorë me rastin e 35 vjetorit të PS, Berisha tha se vlonjatët nuk do ta lejojnë të organizojë anti-miting.
“Qytetarët do t’i tregojnë në Vlorë se si do përballet! Unë të them të mos lëvizë se kjo është e turpshme. Nuk lëvizet me miting, anti-miting. Këtë e bënte Ramiz Alia, e bëri kur rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës, dolën vullnetarët e Enverit dhe rrëmbyen armët dhe thanë do shpallim Vlorën republikë. Lexoni, Republika e jugut me kryeqytet Vlorën. Dolën vlonjatët, ia bllokuan urën e Mifolit, edhe i lanë të rraskapitur mezi hynë në Vlorë. Kjo do t’i ndodhë edhe Edi Ramës”, deklaroi Berisha./a.d
