Last Updated on 05/03/2025 by adminfjala
Pas formimit të koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”, kreu i PD-së Sali Berisha u ka ofruar partive kryesore aleate 8 vende të sigurta në Parlament. Katër mandate merr PL, një PAA, një PDIU dhe një PBDNJ. Zemërgjerësia e Berishës me Partinë e Lirisë sjell pakënaqësi brenda PD-së.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka ndarë 8 mandate të sigurta për partitë që i janë bashkuar koalicionit me Partinë Demokratike, si shpërblim për besimin dhe mbështetjen e tyre. Në ditën e fundit të regjistrimit të koalicioneve, Berisha doli në një deklaratë për shtyp, ku u shpreh i kënaqur me ekipin e aleatëve që kanë zgjedhur të garojnë nën siglën e PD-së. Berisha theksoi se në kuadër të koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”, i cili bashkon 26 parti politike, janë siguruar 8 vende të garantuara në listat e mbyllura për partnerët e PD-së. “Ky është një koalicion i fuqishëm dhe i natyrshëm. Demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti, së bashku me Partinë Demokratike, përfaqësojnë potencialisht deri në 1/3 e elektoratit shqiptar. Edhe pse disa prej këtyre partive janë modeste veçmas, të gjitha së bashku përbëjnë një forcë të konsiderueshme me qindra mijëra vota”, deklaroi Berisha. Kreu i PD-së siguroi gjithashtu se listat e mbyllura do të respektojnë të gjitha kuotat statutore për përfaqësimin e grave, vajzave dhe të rinjve. “Askush të mos mendojë se ne do të anashkalojmë detyrimet tona statutore apo kushtetuese. Respektimi i kuotave gjinore dhe përfaqësimi i të rinjve janë prioritet absolut në listat tona”, shtoi ai. Sipas marrëveshjes së PD, Berisha i jep PL të Ilir Metës 4 deputetë në lista të sigurta, ndërsa nga 1 do të marrin Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Kështu çamët dhe grekët bashkohen rreth Berishës i cili ka lënë në këtë mënyrë 8 mandate të sigurta për aleatët. Berisha ka thirrur në ndihmë edhe Kujtim Gjuzin, Selami Jenihsheri, Sazan Gurin apo Kostaq Papën, ky fundit i njohur për deklaratën e tij të famshme në foltoren e Kuvendit. Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi procesin e primareve si model të transparencës brenda PD-së dhe një garanci për listën e kandidatëve, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe procese të mbyllura në përzgjedhjen e kandidatëve socialistë. Por ndërsa u zyrtarizua marrëveshja, zërat kundër në PD kanë nisur të shfaqen, pasi konsiderohet një “dhuratë e madhe” dhe e “pamerituar” ajo që Berisha I ofroi Partisë së Lirisë, e cila drejtohet nga ish-Presidenti Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar për tre akuza, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në sondazhe të ndryshme Partia e Lirisë renditet ndër të fundit. Ndonëse në zgjedhjet e katër viteve më parë siguroi rreth 108 mijë vota, vë vitet e fundit dhe veçanërisht pas arrestimit të Metës fuqia elektorale e saj është tkurrur ndjeshëm.
Vota e Diasporës
Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po saboton me vetëdije votën e diasporës, nga frika e ndëshkimit që e pret nga shqiptarët jashtë vendit. Sipas Berishës, Rama ka urdhëruar përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë zgjatjen e afateve për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës në platformën zgjedhore. “Edi Rama personalisht, në vitin e diasporës, urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të mos pranojnë kërkesën e përfaqësuesve të PD për zgjatjen e afatit deri më 9 mars. Kjo tregon qartë frikën dhe panikun që ka ai dhe partia e tij nga vota e lirë e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”, deklaroi Berisha. Ai u bëri thirrje gjithë bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë çdo minutë të mbetur për t’u regjistruar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese në zgjedhjet e 11 majit. “Bëj thirrje që edhe anëtarët e KQZ-së të shkëputen nga presioni politik dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën. Mos u bëni vegla të Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit, që po bëjnë gjithçka për të përjashtuar nga vota mbi 500 mijë shqiptarë të diasporës”, apeloi Berisha. KQZ miratoi regjistrimin e koalicionit “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore” e përbërë nga PD e Berishës, PL e Ilir Metës dhe 24 forca të tjera politike. Po ashtu KQZ miratoi edhe regjistrimin e koalicionit “Djathtas për Zhvillim” të Enkelejd Alibeajt e Dashamir Shehit dhe “Nisma Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt e Shabanit.
Partitë përbërëse të koalicionit të Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore
PD- Sali Berisha
PL – Ilir Meta
PR- Fatmir Mediu
PDK- Nard Ndoka
PBDNJ- Vangjel Dule
PAA- Agron Duka
PKKA- Kujtim Gjuzi
PESH- Kostaq Papa