Kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët ka folur për reformën e strehimit social si dhe për uljen e borxhit.
Kryeministri deklaroi se gjithashtu kjo reformë synon dhe rritjen e përfituesve të asaj që quhet strehim i përballueshëm.
Më tej, kryeministri u ndal dhe te borxhi për të cilin tha se dhe këtë vit ka ulje ndërsa janë pozitive vlerësimet e kreditit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Rama u ndal dhe te nisma për të ulur pagesat cash në vend, ku njoftoi se brenda vitit 2026, të gjithë bizneset duhet të ofrojnë mundësinë e pagesës me kartë.
“Jemi duke përgatitur reformën e strehimit social për të hapur një epokë krejt të re dhe për të rritur në mënyrë të ndjeshme përfituesit e strehimit social dhe atë që quhet strehimi i përballueshëm.
Dhe këtë vit kemi ulje të borxhit ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje këtë vit. Mirëadministrimi dhe rritja kanë sjellë 628 miliardë lekë të ardhura të shtetit. Janë miratuar disa politika të reja, si paqja fisale dhe projektligji i detyrimeve të prapambetura.
Në nevojën për të ulur cash-in, janë vendosur disa limite si fillim. Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës, që çdokush të ketë mundësi të paguajë me kartë apo forma të tjera alternative”, tha Rama./KM
