Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner ka reaguar pas përfundimit të konferencës ndërqeveritare në Bruksel të mbajtur ditën e sotme.
Bergner ka përgëzuar Shqipërinë për arritjen e objektivave të ndërmjetme dhe është shprehur se gjermani mvështet fuimisht anëtarësmin e vendit tonë në BE.
Më tej, në reagimin e bërë, ambasadori gjerman shprehet se hapat e bëra nga Shqipria në grupkapitullin “Fundamentals” përcaktojnë shpejtësinë në rrugën drejt BE.
“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Fundamentals” përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”, shprehet ambasadori gjerman.
Arritjen e piketave të ndrëmjetme nga Shqipëria e ka përshëndetur dhe ambasada holandeze në Tiranë. Me anë të një reagimi, ambasada shprehet se Holanda mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Duke u ndalur te miratimi i IBAR, ambasada e Holandës thotë se shpreh inkurajimin për të vazhduar reformat.
Deklarata e ambasadës
Arritja e piketave të përkohshme në kapitullin “Themeloret” shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, si dhe ata në politikë, administratën publike dhe sistemin gjyqësor që kanë kontribuar në këtë arritje me përkushtim të madh.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Për këtë arsye, Holanda e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Një shtet i fortë ligjor, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në thelb të vlerave evropiane. Prandaj, përparimi në fushën e “Themeloreve” përcakton ritmin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.
Arritja e këtyre piketave të përkohshme përbën kështu pikënisjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës. Miratimi i IBAR shpreh pritshmërinë tonë të qartë dhe inkurajimin për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe përpjekjet e pandërprera kundër korrupsionit, përfshirë edhe në rastet e nivelit të lartë, janë kushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo përfshin gjithashtu sigurimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë përcaktuar këto pritshmëri shumë qartë në Pozicionin e tyre të Përbashkët si parakushte për përfundimin e negociatave. Ashtu si institucionet e BE-së dhe shtetet e tjera anëtare, Holanda do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e mëtejshme dhe të mbështesë përpjekjet për reforma./mxh
