Rreth tre muaj kohë ka Kosova që të përmbushë 27 hapa të reformave e t`i raportojë Bashkimit Evropian për punën e bërë. Reformat që duhet të përmbushen deri në fund të muajit dhjetor, sipas Bashkimit Evropian, kanë vlerën 165.8 milionë euro.
Në një reagim për “KOHA”, a Zyra e BE-së në Kosovë thotë se përmbushja e hapave deri në muajin qershor është ende duke u vlerësuar.
“Siç e dini, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht që të përmbushë reformat e përzgjedhura në kuadër të Axhendës së Reformave të miratuar, si dhe parakushtet dhe kushtet e përgjithshme.
Disbursimi i fondeve nga BE-ja varet nga vlerësimi i përmbushjes së hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave, si dhe nga respektimi i kushteve të përgjithshme dhe parakushteve”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Nikola Gaon.
Po ashtu, BE pret qw pas zgjedhjes sw presidentes Justina Shiroka-Pula të rivendoset stabiliteti institucional, që do t`i mundësonte Kosovës “të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë Planin e Rritjes”.
Në kuadër të fondit prej 6 miliardë eurosh të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosova në dispozicion ka mbi 800 milionë euro. Afati për shfrytëzimin e tyre skadon në verën e vitit 2027. Nëse shtetet nuk përmbushin reformat në kohë, mjetet i kthehen buxhetit të bllokut evropian.
Deri më tani, Kosova nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt, përveç parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh, të ndarë në prill të këtij viti./ad
