Sali Berisha është thirrur sot, në orën 09:00, në SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Paraqitja e ish kryeministrit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar për rolin dhe përgjegjësinë e tij për plumbat që vranë 4 protestues në bulevard para kryeministrisë vjen pas refuzimit të dy fletëthirrjeve të mëparshme (edhe pse njëra iu dërgua në banesë, selinë e PD dhe Kuvend), manovrave që bëri për t’u shmangur, dhe akuzave ndaj drejtuesit Altin Dumani se po bën propagandë.
Fletëthirrja e tretë iu faturua në dorë në SPAK të hënën kur Berisha shkoi për në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani”, e cila ka kaluar për gjykim. Në fillim u caktua e premtja por më pas u la për të mërkurën pas pretendimit të Berishës se në atë ditë do të ishte jashtë vendit.
Në daljen e djeshme publike, ai deklaroi se do të paraqitet në Prokurori. Por nëse edhe sot refuzon t’i përgjigjet thirrjes së SPAK, atëherë organi i akuzës ka detyrimin të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të tij. Më herët është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Dosja 21 janari
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim./ K.M
