Last Updated on 08/04/2026 by Anisa
Nga ARTUR AJAZI
Dihet se në zgjedhjet e reja për kryetarin e partisë, Berisha i fiton edhe kësaj here. Kjo as nuk diskutohet. Këtu lind pyetja dhe kurreshtja, a do të largohet ai pas humbjes në 2027 në zgjedhjet locale ? A do të largohet ai pas humbjes së rradhës (sepse në 11 Maj nuk e bëri) në 2027, ku pritet që Partia Socialiste (sipas të gjitha gjasave) të fitojë shumicën e bashkive?
Kjo nuk është as dëshirë, as hamendësi, as imagjinatë, por një realitet dhe profeci e cila ka rezultuar e saktë. Nuk mjafton të dalësh dhe ulurish në pode dhe foltore se “qeveria është e keqe, se kryeministri është i keq, ndaj më votoni mua”, por duhet tu mbushësh rradaken njerëzve, dhe sidomos mbështetësve dhe militantëve të partisë tënde se, “me fakte, programe dhe ide novatore, ne do ta shpiem Shqiperinë në Europë”.
Fakti është se, deri sot Sali Berisha nuk ka arritur ti bindë njerëzit e tij, as shqiptarët se, “ai është më i miri, se ai ka ndryshuar kursin, dhe se ai, do bëjë mrekullira”. Nuk i bind, nuk i sqaron, nuk i motivon, nuk i afron me PD, sepse nuk ka frymë, nuk ka shpresë, nuk ka liri, as për demokratët.
Në PD mungon dëshira e madhe për të fituar. Vetë demokratët ndjehen të pashpresë, ndjehen të lodhur dhe të çorientuar, pas nga qendra e deri në bazë, bëhen pazare dhe asgjë nuk është statutore. Mjafton të shikosh e lexosh faktet, nga fushata e zgjedhjeve për kryetarë në degët e PD-së, për tu bindur se, “në Partinë e Berishës, kurrë nuk ka patur e nuk do të ketë as zgjedhje, as liri, as demokraci, dhe as transparencë”.
“Në politikë, gabimin e vuan me pasojë afatgjatë”– ka thënë politikani gjerman Schmid. Politikanët e post’90, nuk e duan dhe nuk e pranojnë demokracinë dhe pluralizmin si teori dhe praktikë e zbatueshme. Ata e pranojnë dhe e duan si pronë. Ata dhe partinë e marrë “qyl” nga ish-Sekretarët e Parë të Partive Komuniste, e trajtuan si pronën e tyre në një sistem të ri, në demokraci. Mendësia e tyre bolshevike, nuk i lejon ata të pranojnë humbjen si refleksion, si opsion, dhe si mundësi zhvillimi për më tutje.
Zgjedhjet e reja lokale po trokasin. Partia Demokratike në situatën ku ndodhet, qysh sot e ka të humbur Tiranën, Elbasanin, Durrësin, Korçën, Vlorën, Sarandën, Beratin, Gjirokastren, Burrelin, Fierin, Shkodren dhe madje dhe Tropojën. Janë punët, investimet, projektet, rritja e turizmit dhe biznesit, janë premtimet e mbajtura, ato që favorizojnë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Kurrë Sali Berisha nuk e ka pranuar se “Rama nuk është Nano, dhe se fitorja ndaj Ramës do të jetë gjithmonë imagjinatë e dështuar”.
Kokëfortësia e liderit të përjetshëm të PD, të mos harrojmë kurrë faktin, se lidhet me trashëgiminë e tij marksiste, me të shkuarën e tij komuniste, sipas të cilës “mos u dorëzo, mos u largo edhe kur humb, edhe kur rrëzohesh, edhe kur turpërohesh, edhe kur refuzohesh, edhe kur akuzohesh”.
Ndaj mendoj se, edhe pas humbjes së rradhës në 2027, Saliu as nuk largohet, as nuk dorëzohet, por do të qëndrojë fort atje, majë PD-së, për të vazhduar avazin e vjetër, edhe pse do ti duhet të drejtojë partinë me një grusht njerëzish.
