Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Policia e Shtetit ka marrë masa të shumta sigurie këtë të enjte, duke “blinduar” perimetrin përreth Kuvendit të Shqipërisë për shkak të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike.
Rreth 1,500 efektivë policie janë angazhuar në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, i cili pritet të nisë në orën 10:00. Protesta zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit, ku në rendin e ditës është edhe votimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Në kuadër të planit të masave, në oborrin e Akademisë së Shkencave, pranë godinës së Kuvendit, janë vendosur një automjet zjarrfikës dhe një autobot me ujë, si pjesë e përgatitjeve për parandalimin e çdo incidenti të mundshëm.
Sipas burimeve, ndryshe nga protestat e mëparshme që janë shoqëruar me përplasje, këtë herë pritet që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore. Kjo vjen edhe pas mesazheve të përsëritura nga faktorë ndërkombëtarë për respektimin e rregullave të sigurisë dhe të drejtës së protestës.
Ndërkohë, pak para nisjes së seancës plenare, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë deputetët socialistë. Burime për mediat bëjnë me dije se ai u ka kërkuar atyre të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, pasi gjatë seancës së sotme pritet të votohet edhe raporti që lidhet me çështjen e deputetes Belinda Balluku.
Raporti i shumicës do të prezantohet në seancë nga deputeti Ulsi Manja, ndërsa raporti i opozitës nga Oerd Bylykbashi, pasi Gazment Bardhi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
